Mbyllet Administrata Tatimore Serbe në Mitrovicën e Veriut, hapet rast për falsifikim dokumentesh

Aktuale

Mbyllet Administrata Tatimore Serbe në Mitrovicën e Veriut, hapet rast për falsifikim dokumentesh

Më: 8 janar 2025 Në ora: 10:25 Përditësuar në ora: 12:44 më 08.01.2025
Foto ilustrim

Mbyllja e objektit të strukturave paralele serbe në veri, reagon Lista serbe

Policia e Kosovës sot mbylli një objekt të strukturave paralele serbe në veri të vendit, i cili shërbente si zyrë tatimore, degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.

Në një përgjigje për median, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më herët tha se njerëzit që kanë qenë aty janë larguar, por se nuk ka pasë arrestime.

“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyre tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë has aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë ai.

Për mbylljen e këtij objekti ka reaguar partia Lista Srpska, e cila pretendoi se Administrata Tatimore, siç iu referua, u mbyll “dhunshëm dhe ilegalisht”.

Kjo parti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e bën për fushatë zgjedhore.

“Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij”.

Gjithashtu, Lista Srpska pretendoi se “ka keqtrajtim të njerëzve që kanë kaluar gjithë jetën e tyre të punës në këtë godinë dhe i kanë shërbyer të gjitha komuniteteve pa përjashtim”.

“Tashmë sot do të takohemi me punonjësit e prekur të Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta të gjitha llojet e ndihmës dhe mbështetjes dhe do t’u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhurat dhe se ekzistenca e tyre do të jetë e sigurt. Kurti, me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq, pushton dhe grabit ndërtesat dhe objektet serbe me dhunë, ai nuk mund ta detyrojë popullin serb të largohet nga vatrat e tij shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”.

Policia po e heton këtë rast si falsifikim i dokumenteve.

Aksioni i sotëm i policisë në veri, Sveçla jep detaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të sotëm të policisë në veri të vendit, që rezultoi me mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë.

“Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona”, u shpreh Sveçla.

Ministri ndau pamje nga brendia e objektit, duke thënë se ky institucion mblidhte ilegalisht mjete financiare nga qytetarët dhe subjektet që jetonin e vepronin në Republikën e Kosovës.

“Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, tha Sveçla.

Ky është postimi i plotë i tij:

Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën Veriore.

Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona.

Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin.

---------

Administrata Tatimore e Serbisë e cila vepronte ilegalisht në Mitrovicën e Veriut është mbyllur sot nga autoritetet e Kosovës, ndërsa Policia ka sekuestruar dokumentacionin dhe ka hapur një rast për falsifikim dokumentesh.

Sipas zëvendëskomandantit të Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, njësia kundër krimeve ekonomike ka ndërhyrë në objektin ku funksiononte institucioni paralel serb.

Në vendngjarje përveç policëve të njësisë kundër krimeve ekonomike shihen edhe dhe pjesëtarë të EULEX-it.

Një pjesë e stafit tashmë ka lënë ambientet e objektit, duke marrë me vete sendet personale.

“Ky është një institucion paralel. Kemi sekuestruar dokumentacionin dhe kemi hapur rastin për falsifikim të dokumenteve”, ka deklaruar Elshani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat