Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka anuluar sot një aktivitet në Viti ku pritej të merr pjesë në përurimin e një çerdhe në fshatin Dobreshë dhe një shkollë në fshatin Pozheran të kësaj komune.
Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për shtyrjen e përurimit të shkollës "Halil Alidema" në Pozheran, duke e cilësuar këtë si një vendim politik të pabazuar.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se shkolla ka kaluar inspektimet dhe ka qenë gati për të pranuar nxënësit, mirëpo siç potencon ai, “dëshira e sëmurë e kryetarit Haliti për protagonizëm i la edhe këtë javë nxënësit në shkollën e vjetër”.
“Sigurisht që ky është një vendim politik, për qëllime të fushatës elektorale, dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës. Jemi të sigurt se, nëse nuk do të paralajmërohej përurimi, sot nxënësit pozheranas do të fillonin mësimin në shkollën e re. Por dëshira e sëmurë e kryetarit Haliti për protagonizëm i la edhe këtë javë nxënësit në shkollën e vjetër. E rëndësishme është që objekti i ri është gati, dhe nxënësit do t'i kthehen asaj së shpejti. Kthimi i nxënësve në shkollën e re nuk mund të ndalet për qëllime politike të dikujt, qoftë ai edhe kryetar komune”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Megjithatë, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti përmes një postimi po ashtu në faqen zyrtare të komunës ka njoftuar se përurimi i objektit të ri të shkollës "Halil Alidema" në Pozheran dhe çerdhes publike në Drobesh, i planifikuar për 8 janar 2025, do të shtyhet.
Në njoftimin e sotëm thuhet se gjatë një inspektimi të fundit, Haliti dhe inxhinierët komunalë konstatuan se ende po kryheshin punime përmbyllëse në këto objekte. Për këtë arsye, ai ka njoftuar Ministrinë e Arsimit dhe është arritur marrëveshja që ceremonia të zhvillohet vetëm pas përfundimit të punimeve.
“Unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, citohet Haliti në njoftimin e komunës.
Derisa kp ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit lidhur me anulimin e këtyre aktiviteteve, të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme. Ndërkaq, sot Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë anuluar aktivitetet e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të parapara që të mbahen ditën e sotme në Viti, porse pa dhënë më shumë detaje.
Për më tepër, Haliti informoi se punimet për ndërtimin e shkollës kanë filluar që nga viti 2016, dhe njëkohësisht bëri të ditur se çerdhja në Drobesh, e financuar nga buxheti komunal, po shkon drejt finalizimit, ndërsa po zhvillohen procedurat për rekrutimin e stafit të nevojshëm për të pranuar fëmijët.
MASHTI paralajmëroi të dje për aktivitetet e ministres Nagavci në Viti.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ditën e nesërme, me 8.01.2025, do të zhvilloj disa aktivitete në Viti. Në ora 10:00, përurimi i shkollës “HalilAlidema” në Pozheran të Vitisë Në ora 11:00, përurimi i çerdhes në fshatin Dobresh të Vitisë (Objekti i adaptuar nga shkolla në çerdhe)”, ishte thënë njoftimin e mbrëmshëm nga MASHT.