Objektet paralele serbe në Kosovë, që Policia i mbylli gjatë vitit 2024

Aktuale

Objektet paralele serbe në Kosovë, që Policia i mbylli gjatë vitit 2024

Më: 8 janar 2025 Në ora: 19:57
Foto ilustrim

Thuasje në secilin aksion të policisë, merrnin pjesë edhe dy ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi.

Ata pastaj thonin edhe disa fjalë, në çdo objekt që strukturat paralele serbe e kishin përdorur si komune.

Me 26 janar, autoritetet kosovare i mbyllen katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në çarkun e Dragashit, në jug të Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha “Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, në një video në Facebook shtoi se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, të cilat kishin vepruar në një objekt të përbashkët.

Ai shtoi se ato kanë vepruar dhe kanë lëshuar dokumente jashtëligjshëm për qytetarët e komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

Me 2 shkurt autoritetet kosovare, kanë mbyllur tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë.

Këtë e kishte konfirmuar vetë Sveçla ku tha se tha se në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

Reagimet nga Serbia erdhen menjëherë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përveç aksionit për mbylljen e organeve të përkohshme komunale në Pejë dhe Istog, Policia e Kosovës ka hyrë në qendrën mjekësore në Osojan dhe e kanë mbyllur të njëjtën.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se kryetarët e organeve të përkohshme janë ndaluar nga Policia e Kosovës për t’u marrë në pyetje.

Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, e cilësoi aksionin policor si “vazhdim të spastrimit etnik” të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kjo nuk do ndalonte policinë e Kosovës, e as qeverinë e saj.

Me 30 gusht 2024, u mbyllen pesë institucione paralele serbe, qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit ishin caku tjetër i organeve të rendit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e kritikoi këtë vendim dhe tha se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, dhe ai francez Olivier Guerot, e kritikuan vendimin duke e cilësuar si të “pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

Por, gjatë 2024-tës nuk u mbyllën vetëm komunat paralele serbe.

Me 5 gusht, u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës.

Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili gjithashtu u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, “Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale, ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.

Autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Gjatë këtij viti u mbyllën edhe Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç, si dhe disa kompani komunale, të gjitha duke funksionuar me sistemin parallel serb.

Kurse krejt në fund të këtij viti u mbyllën dy ndërmarrje publike serbe, që punonin sipas sistemit të Serbisë, Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore dhe ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat