Arkeologët në Kosovë, nuk po pajtohen që Kishat Ortodokse në Kosovë, të quhen serbe. Këta thonë se objektet fetare i takojnë popullit dhe se kishat ishin këtu para serbëve. Nga Bashkimi Evropian po kërkojnë zbatimin status special për këto kisha ortodokse, ndërsa nga Qeveria e Kosovës thonë se ligjin për Liritë Fetare e kanë bllokuar vet deputetët serbë.
Njihen si kisha serbe në Kosovë.
E në to, besimtarët ortodoks, drejtohen për lutjet e tyre.
Por me këtë terminologji, nuk po pajtohen arkeologët.
Ish-drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexhaj, thotë se objektet fetare nuk kane etni.
Objektet, monumentet që janë religjioze, nuk kanë etni, janë të popullatës dhe mundemi me thënë lirisht me plot bazë dhe argument që monumentet mesjetare, pra kishat ortodokse, nuk janë serbe. Janë monumente që i kanë takuar popullatës që ka jetuar në këtë vendbanim, pra arbrit. Pra ajo trashëgimi i takon shqiptarëve, që janë vendas”, shprehet Rexhaj.
Por, sa kisha ortodokse ndodhen në Kosovë?
“Janë, Manastiri i Graqanicës, Shën-Prena në Prizren, Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Banjskës dhe Shën Arkangjelit, këto janë monumentet t që kanë ekzistuar me burime dhe argumente të historiografisë serbe, tregohet që janë monumente që i kanë takuar Dardanëve kur s’ka pasur sllavë këtu hiç”, tregon Rexhaj.
E në vitin 2023, pala kosovare dhe ajo serbe, u dakorduan në Ohër për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
E këtë, deputetëve të Kosovës, ua kërkoi të martën edhe Bashkimi Evropian.
“Për projektligjin ne bëjmë thirrje që të miratohet Ligji për liritë fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit të mbështesin miratimin e këtij ligji”, tha zëdhënësja e BE-së.
Për këtë, Tëvë1 të mërkurën ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës.
Nga ekipi i kryenegociatorit, Besnik Bislimi, kanë thënë se qëndrojnë prapa reagimit të një dite më parë, të zëvendësministri të Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.
Ky i fundit ka shkruar se Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë që ai të mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës.