Avokati i njohur Spartak Ngjela ka ndarë një reflektim mbi historinë dhe rrugëtimin e shqiptarëve, duke theksuar krenarinë kombëtare për arritjet e deritanishme dhe vlerat e trashëguara. Në një postim të tijin, Ngjela nënvizon se koha ka çliruar plotësisht të vërtetën historike të shqiptarëve dhe i ka rivlerësuar përpjekjet e tyre në arenën ndërkombëtare.
Në vijim, postimi i plotë i Spartak Ngjelës:
Të gjithë duhet të jemi krenarë sot për një gjë: ne shqiptarët po na ndriçon historia jonë tremijëvjeçare, të cilën më në fund koha e çliroi plotësisht nga të gjitha fshehjet dhe shtrembërimet e historisë antishqiptare.
Kudo ka vlerësim, kudo kuptohet që brenda kësaj retorike me lavdi për shqiptarët, qëndron koha jonë e rivlerësuar, dhe historia e vlerës sonë historike që nga lashtësia e deri sot, në trojet tona:
▶︎ Të pushtuar
▶︎ Të sakrifikuar nga hordhitë aziatike të Stambollit
▶︎ Të persekutuar si asnjë popull tjetër nga komunizmi
Por krenarë sot që kemi miq të mëdhenj që vlerësojnë historinë tonë që nga lashtësia, te Gjergj Kastriot Skënderbeu, e deri në kohën e sotme që jemi në aleancë me Perëndimin e lartë: që nga Berlini në Londër, dhe që nga Londra në Uashington.
Dhe po çlirohemi gradualisht, pikërisht me ndihmën e kësaj aleance të madhe.
Dhe tani jemi dy shtete shqiptare të pavarur; dhe në demokraci.
Sukses i madh dhe i merituar për shqiptarët si populli më i vjetër në Evropë, por dhe për gjuhën shqipe dhe forcën e saj.
Jemi në rrugën tonë të drejtë.
Në kohën tonë dhe drejt zhvillimit të Arbërisë moderne, për të rikthyer historinë tonë brenda të vërtetës sonë historike.
Gëzuar, edhe një herë, Vitin e Ri 2025!