Sanksionet për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për të nisur shumë shpejt.
Dje, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.
Ish-shefi i Aki-së, Burim Ramadani ka thënë se ky është një mesazh i fortë për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se është mesazh shumë direkt për një masë njerëzish anëkënd rajonit.
Postimi i plotë:
Mesazhi i fortë amerikan i Janarit 2025!
Goditjet eventuale amerikane të individualizuara në Ballkanin Perëndimor janë zgjeruar në aspektin ligjor para ardhjes në detyrë të Presidentit të ri atje.
Mesazhi amerikan i zgjerimit të bazës ligjore për ‘Listat e Zeza’ në Ballkan, përmes plotësimit të Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Joe Biden, është mesazh shumë direkt për një masë njerëzish anëkënd rajonit.
Shpresoj që kjo të përfshijë, ndër tjera, të gjithë të ndërlidhurit me Qendrën Ruse të Spiunazhit në Nish të Serbisë.
Përpos bazës paraprake ligjore, tashmë ngjarjet në Ballkanin Perëndimor që mund të ndëshkohet janë edhe ato që përfshijnë përpjekjet e vazhdueshme të individëve:
• për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor,
• për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës,
• për t'u përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që gërryen sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike, dhe
• për t'iu shmangur sanksioneve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.