Ditë më parë ish-ushtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka njoftuar se ka ngritur padi kundër Gjykatës Speciale dhe të gjitha shteteve financuese të saj.
Haradinaj shprehet i bindur se atij i janë shkelur të drejtat gjatë gjyqit në Hagë, andaj thotë së dëshiron të ballafaqohet më këto padrejtësi.
Avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman, tregon se këtë çështje e kanë parashtruar në Grupin e punës të OKB-së për paraburgim arbitrar, por edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Haradinaj gjatë procesit ka vazhduar të thotë në rast se nuk kemi sukses me anë të gjykatës së apelit, pastaj Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese, brenda Dhomave të Specializuara (ose e kundërta) ai dëshironte ta dinte nëse mund të bëhet ankesë shtesë qoftë nëpërmjet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo nëpërmjet OKB-së. Më parë ne kishim paraqitur ankesë për të në grupin punues të OKB-së për mbajtje arbitrare me arsyetimin se nëse një individ mbahet në kundërshtim me të drejtat e njeriut, e që nuk kanë pasur gjykim të drejtë, ajo mbajtje mund të konsiderohet arbitrare në kuptimin mbi bazat e grupit punues të OKB-së”, ka thënë Cadman për Tëvë1.
Avokati britanik vlerëson se duhet të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Ai shprehet kritik që shteti i Kosovës nuk është angazhuar mjaftueshëm në këtë drejtim.
“Kosova nuk është angazhuar sa duhet, ne kishim kërkuar gjatë gjykimit të z. Haradinaj që të ketë një trup monitorues të gjykimit që të monitoronte procesin. Arsyeja për këtë, dhe të jap një shembull, kur isha pjesë e zyrës së prokurorisë në Bosnjë e Hercegovinë, dhe ne po merreshim me rastet e krimeve të luftës gjatë viteve 1992-1995, ato procedura ishin monitoruar nga OSCE si një trup i pavarur monitorues i gjykimeve. Çfarë donim të shihnim ishte një interesim më i madh i shtetit të Kosovës në këtë proces që gjykimit të jetë i monitoruar si duhet, dhe nëse gjykatësit dhe prokurorët po shkelnin ligjin, duhet të kishte pasoja për këto”, shprehet Cadman.
Haradinaj ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK kishte shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Veterani i UÇK-së, Haradinaj, ishte dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim.