Në Kosovë do të mund të ruhet energjia përmes baterive, një projekt që pritet të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike. Në emisionin “Info Plus” të RTK-së, Burim Hashani, zëvendësdrejtor i Programeve të Sfidave të Mijëvjeçarit, foli për këtë projekt, duke e cilësuar si shumë inovativ dhe ndër më të mëdhenjtë në botë për kokë banori.
Ai tregoi se projekti i ruajtjes së energjisë përmes baterive që do të realizojë Kosova është projekt shumë inovativ dhe, sipas tij, ndoshta më i madhi në botë për kokë banori.
“Është një kërkesë e madhe në botë për bateri, sepse është një teknologji e re që ndihmon optimizimin e shfrytëzimit të energjisë, gjë që i ka munguar sistemeve të energjisë nëpër botë. Gjithmonë energjia kur është prodhuar ka qenë e detyrueshme të plasohet diku, sepse nuk ka mundur të ruhet. Tani, me përparimin e teknologjisë së baterive, do të ketë rreth 350 megavat orë energji elektrike që mund të ruhet, dhe si objektivë primare është ndihma për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, rritja e sigurisë së sistemit, zvogëlimi i importeve, optimizimi i kohës së prodhimit nga KEK, dhe pritet të mundësohet hyrja në sistem e prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme,” tha ai.
Siç sqaroi Hashani, sistemi i baterive që do të vendoset me ndihmën e MCC-së dhe Qeverisë së Kosovës do të mundësojë futjen në rrjet të qindra megavateve të planifikuara nga Strategjia e Energjisë e Kosovës, përfshirë energjinë solare dhe atë me erë.
“Këto bateri do të vendosen në dy pjesë. Pjesa më e madhe, prej 125 megavatësh, do të vendoset tek një ndërmarrje e re, Korporata për Ruajtjen e Energjisë (KRE), për të cilën qeveria ka marrë vendim për themelimin e saj. Ndërsa me ndihmën tonë do të përkrahim funksionalizimin dhe kostot operative të kësaj ndërmarrjeje. Pjesa tjetër e baterive, prej 45 megavatësh, do t’i jepet KOSTT-it, për të mundësuar ofrimin e rezervave teknike kur ka rënie të sistemit,” shpjegoi ai.
I pyetur nëse kjo do ta përmirësonte situatën me energjinë, ai tha se përmirësim pritet të ndodhë, por kjo, natyrisht, sipas tij, nuk e adreson krejt problemin e sektorit të energjisë. Ky është një nga tri projektet e mëdha, sipas tij, në sektorin e energjisë.
“Këto projekte janë nga MCC, agjenci federale për ndihmë të jashtme, ku Kosova ka përfituar një grant – jo kredi, por grant – nga shteti amerikan për popullin e Kosovës, prej 202 milionë dollarësh, ndërsa 34 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës për të financuar këto tri projekte të mëdha energjetike,” bëri të ditur ai.