Hoxhaj: Qeveria Kurti ka lënë Kosovën në terr diplomatik, nën sanksione - nuk iu beson më askush

Aktuale

Hoxhaj: Qeveria Kurti ka lënë Kosovën në terr diplomatik, nën sanksione - nuk iu beson më askush

Më: 9 janar 2025 Në ora: 20:18
Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke i akuzuar për dështim total në politikën e jashtme dhe për humbje të besimit ndërkombëtar.

Në një status të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka shpërndarë një pjesë nga një intervistë e tij televizive, ku ai deklaron se Kosova ndodhet në “terr diplomatik”.

“Në terr, në rrafshin diplomatik, i bie kur je nën sanksione. Ne kemi qenë të shqetësuar dhe vazhdojmë të mbesim të shqetësuar me aktin e agresionit vitin e kaluar dhe politikën e gabuar të perëndimit për të mos ndëshkuar Serbinë,” deklaroi Hoxhaj.

“Për mua ka qenë e papranueshme që pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc të ketë takime, sikur s’ka ndodhur asgjë, dhe të dalësh të bësh deklaratë për të pagjeturit,” shtoi ai.

Hoxhaj kërkoi që brenda tre muajve të hartohet një platformë e re për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se qasja aktuale ka dështuar dhe kërkon një strukturë të re për udhëheqjen e dialogut.

Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës duhet të fokusohet në një ideal të madh, që është anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Politika e jashtme e Kosovës duhet të udhëhiqet nga një ideal i vetëm për katër vitet e ardhshme – anëtarësimi në NATO,” theksoi Hoxhaj.

Në fund, ai kritikoi qeverinë aktuale për ngecjen e Kosovës në çdo aspekt, duke përmendur ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe integrimet evropiane.

“Kosova është e fundit në rajon në çdo rrafsh,” përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat