Ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, doktoresha Valbona Blakaj-Ramadani, ka thënë se i akuzuari për vrasjen e dyfishtë, Jetmir Sinani, nuk e ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Këtë deklarim ekspertja e ka dhënë në rastin ku Sinani akuzohet për vrasjen e F.Z. dhe L.M që kishte ndodhur më 2023 në Vushtrri.
Në këtë seancë, gjykatësi Mentor Hajraj e ka pyetur eksperten nëse, bazuar në ekzaminimin dhe të gjitha shkresat e lëndës, i pandehuri ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore gjatë kryerjes së veprës.
“Jo, sipas të gjithë të gjeturave të komisionit vlerësues”, u përgjigj Blakaj-Ramadani.
Ajo ka thënë se për të cilësuar një gjendje si tronditje e fortë mendore, duhet të plotësohen kritere të tilla si ngushtimi i theksuar i vetëdijes deri në humbjen e saj.
Ajo tha se humbja e vetëdijes nënkupton paaftësinë për të njohur pozicionin dhe ambientin përreth.
Sipas saj, personi pa vetëdije nuk mund të bëjë veprime të kontrolluara, të organizojë, të planifikojë, apo të mendojë për veprimet e tij dhe të tjerëve.
Në pyetjen e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Sinani, Shyqyri Syla, se cilat kanë qenë veprimet e të pandehurit kur ka pasur vetëdijen e plotë, ekspertja tha se i akuzuari ka shkuar në punëtorinë e tij, ka marrë armën, është kthyer në vendin e ngjarjes, ka gjuajtur dhe më pas është rikthyer në punëtorinë e tij për ta lënë armën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se në shkresa të lëndës, i pandehuri ka dhënë një deklaratë tjetër, ndërsa para komisionit vlerësues ka thënë se pas zënkës nuk i kujtohet ngjarja dhe veprimet e tij, por vetëm kur ka përfunduar rasti dhe ka qenë prezente policia.
Sipas saj, nuk ka asnjë bazë shkencore që të sugjerojë se ai ka pasur amnezi për atë periudhë, i njëjti ka pasur amnezion (harresë) për atë periudhë kohore.
Ekspertja tha se në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se i pandehuri nuk ka përjetuar frikë, por për tronditje të rëndë mendore duhet të ekzistojë frika e intensitetit jashtëzakonisht të lartë e përcjellur me ngushtim të vetëdijes deri në largimin e plotë të vetëdijes.
Ajo tha se te frika e intensitetit të reaksionit akut në stres, në momentin kur personi arrin të largohet nga vendi i ngjarjes atëherë nuk është i rrezikuar drejtpërdrejtë për jetën dhe nuk rikthehet në vend të rrezikut.
Ndërsa, i pandehuri Sinani e ka pyetur eksperten nëse kjo gjendje e tronditjes mendore mund të vijë si pasojë se një person i dashur ka mbetur i shtrirë si i vdekur në vendin e ngjarjes dhe kjo gjë mund të ketë ndikuar që të rikthehet në vendin e ngjarjes.
Lidhur me këtë ekspertja Blakaj-Ramadani tha se i pandehuri gjatë ekzaminimit ka deklaruar se nuk i kujtohet ngjarja, dhe kur nuk i kujtohet nuk mund ta di nëse ka mbetur një person i shtrirë në vendin e ngjarjes, dhe se deklarata e tij ka eliminuar reaksionin akut në stres.
Më pas, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale.
Fillimisht prokurorja Fetije Bajrami kërkoi që provat materiale të paraqitura në aktakuzë, e që kanë të bëjnë me të pandehurit e tjerë, ndaj të cilëve është veçuar procedura penale për veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” mos të administrohen si prova për të pandehurin Sinani.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Sinani, avokati Shyqyri Syla kundërshtoi administrimin e provave materiale si raporte policore pasi të njëjtat nuk cilësohen si prova, dhe raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike për të pandehurin Sinani, me arsyetimin se nuk është i plotë, dhe nuk është i bazuar në faktet dhe shkresat e lëndës, dhe se eksperti që u dëgjua më shumë e ka luajtur rolin e prokurorit sesa të ekspertes.
Tutje, avokati Syla i propozoi gjykatës që të bëhet një ekspertizë tjetër psikiatrike për të pandehurin Sinani nga një ekip tjetër mjekësor, me qëllim që të vlerësohet drejtë gjendja shëndetësore pasi sipas mbrojtjes i pandehuri Sinani në ditën kritike ka vepruar në kuadër të tronditjes së fortë mendore.
Gjykata refuzoi propozimin e avokatit Syla për të urdhëruar një ekspertizë të dytë psikiatrike, me arsyetimin se tanimë në shkresa të lëndës ekziston një ekspertizë e tillë sipas propozimit të bërë nga i njejti.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Sinani, avokati Syla kërkoi që seanca e sotme gjyqësore të ndërpritet dhe të vazhdojë sipas orarit të planifikuar, me arsyetimin se iu duhet kohë për t’u përgatitur për paraqitjen e mbrojtjes.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri, por ndaj tyre ishte veçuar procedura penale në Departament të Përgjithshëm – Dega në Vushtrri.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 27 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri.
Në pikën e parë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galiza dhe “Zahir Pajaziti” në Vushtrri, me dashje ka privuar nga jeta viktimat F.Z. dhe L.M.
Në aktakuzë thuhet se deri te vrasja ka ardhur pasi pas një rrahje që kishte ndodhur një ditë më herët në mes të të pandehurve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimit dhe të Fisnik Zenunit, Selami Zenunit, Ermal Selanit dhe Adonis Mjekiqit, ku pas kësaj ngjarje tani të ndjerët F.Z., dhe L.M. së bashku me të pandehurin Ilmi Shaqiri i cili e kishte drejtuar automjetin e tipit “Opel Astra” dhe kishin shkuar në rrugët e lartcekura, ndërsa me automjetin e tipit “Pikap” kishte shkuar Mergim Kameri me dy persona tjerë të panjohur.
Sipas aktakuzës, ata nga automjetet fillojnë të shtënat me armë zjarri në ajër, dhe rrahje në mes të tyre, ku në ndërkohë i pandehuri Jetmir Sinani ka shkuar në shtëpinë e tij që ishte aty afër, dhe ka marrë pushkën automatike A47 dhe ka shtënë në drejtim të automjetit “Opela Astra” dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimën F.Z dhe L.M.
Me këtë ai ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë ” nga neni 173 par.1 nënparagrafi dhe nënparagrafi 1.11 të KPRK-së.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 29 tetor 2023, ka mbajtur në posedim armë të zjarrit dhe atë pushkë automatike AK-47 në kundërshtim me Ligjin për Armë, ashtu që arma e njëjtë, me pastaj gjatë urdhër-kontrollit është konfiskuar nga ana e policisë ne shtëpinë e te njëjtit.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së
Në pikën e tretë të aktakuzës, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri akuzohen se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve të lartcekura në Vushtrri, kanë marrë pjesë në rrahje.
Sipas aktakuzës, Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri kanë qenë në këmbë duke qëndruar mbi urë, kur dy tani të ndjerët F.Z. dhe L.M, dalin nga automjeti, dhe tani i ndjeri F.Z. fillon të gjuaj me armë zjarri në ajër, pastaj fillon rrahja me shkelma dhe boksa në mes të tyre, ku si pasojë e kësaj rrahje pësojnë lëndime të lehta trupore tani të pandehurit Jetmir Sinani, Edin Beka dhe Ilmi Shaqiri.
Me këto veprime, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së.