Diaspora ka nisur procesin e votimit nga sot e deri më 8 shkurt, përmes postës, për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, në emisionin “Lajmet e Fundit” të RTK-së, ka bërë të ditur se tashmë janë publikuar listat e adresave të hapura të kutive postare në 23 shtete, përfshirë edhe Kosovën.
“Jemi duke u siguruar që secilin operacion zgjedhor ta kemi të detajuar, në mënyrë që të mos kemi asnjë pengesë teknike që mund të ndikojë në sigurinë e votave të qytetarëve. Përveç që i kemi hapur pullat postare nëpërmjet MPJD-së, kemi pasur edhe një vizitë të anëtarëve të KQZ-së në shtete të ndryshme. Ata kanë parë hapësirat, kanë sjellë raportin, dhe në bazë të tyre kemi marrë vendimet. Jemi gjithashtu në proces të tenderimit të një kompanie që do të bëjë bartjen e zarfeve si postë diplomatike”, ka thënë Krasniqi.
Për mënyrën e votimit fizik nëpër objektet e ambasadave dhe konsullatave diplomatike, ai ka thënë se mund të ketë probleme për shkak të numrit të lartë të votuesve të regjistruar.
“Ky proces është i ngjashëm me atë që ndodh në qendrat e votimit kudo në Kosovë. Ajo që ka qenë pengesë nga ana e disa anëtarëve të KQZ-së është se s’ka pasur mirëkuptim që ne t’i marrim për bazë shqetësimet e bashkatdhetarëve, që kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive infrastrukturore më të shumta për të votuar. Kufizimi i numrit të votuesve nëpër përfaqësi e ka penguar gjetjen e hapësirave të përshtatshme për ta organizuar këtë votim,” ka thënë ai.
“Hapësirat që i kemi aktualisht si qendra votimi, tashmë me numrin e votuesve të regjistruar për të votuar në ambasadë, do të jenë të pamjaftueshme, së paku për disa prej tyre. Siç e dini, procesi i votimit merr më shumë kohë, pasi mund të votohen deri në 10 kandidatë të një subjekti”, ka përfunduar Krasniqi.