Presidentja Vjosa Osmani në takimin me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, tha se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani menjëherë pas takimit.
Ajo tha se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.
“Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës”.
Osmani tha se ekipet e Kosovës dhe të SHBA-së do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik, e cila do të përfshijë “fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.
Zyrtari i lartë amerikan në Presidencë për takim me Osmanin
Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma, është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani në Presidencë.
Në fillim të takimit mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.
Ai në Prishtinë po vjen nga Tirana ku ka qëndruar për vizitë zyrtare dhe ku takoi krerët e shtetit.
Në një njoftim të Departamentit të Shtetit u tha se Verma në Kosovë do të diskutojë për “normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”.
“Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, tha DASH.
Verma pas Kosovës do të vizitojë edhe Serbinë.
Zyrtari i lartë amerikan sot viziton Kosovën, do pritet nga presidentja Osmani
Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai sot do të pritet në takim nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Departamenti i Shtetit, njofton se në Kosovë, do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.
Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.