​Kurti: 2025-ta do të jetë viti i gruas në Kosovë

Aktuale

​Kurti: 2025-ta do të jetë viti i gruas në Kosovë

Më: 10 janar 2025 Në ora: 12:23
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vitin 2025 e ka quajtur vit të gruas në Kosovës. Në mbledhjen e parë për këtë vit, Kurti tha se synojnë fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të grave duke ofruar mundësi të reja.

Kryeministri Kurti u zotua se për të arritur këtë do të vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat e nevojshëm.

Sipas tij gjatë mandatit të parë të tij si kryeministër i Kosovës kanë ndërmarrë vendime që kanë ndikuar pozitivisht në jetën dhe punën e grave dhe vajzave.

Kurti: Viti 2025 do të jetë viti i gruas në Kosovë

“Viti 2025 do të jetë viti i gruas në Kosovë. Në mandatin tonë të parë kemi hapa dhe vendime të shumta që ndikojnë për të mirë në jetën dhe punën e vajzave dhe grave, mbi 12 mijë gra janë punësuar me mbështetje direkte të qeverisë. 51% e të rinjve përfitues të platformës së punësimit Super Puna janë vajza. 55% e përfituesve të punësimit ‘Qeveria për familjen’ janë gra. I kemi mbështetur mbi 60 mijë nëna lehona me shtesa për to dhe për fëmijë të sapolindur....Me qeverisjes tonë përfaqësimi i gruas në ndërmarrje publike dhe administratë publike është rritur shumë. Ndërkaq, përmes masave dhe politikave tona mbështetja për to është rritur theksueshëm edhe në ndërmarrësi, bujqësi, arsim, shëndetësi dhe qasje në pronë”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar theksoi se viti 2025do të jetë vit i inkurajimit të të gjitha grave dhe vajzave për të qenë liderë në çdo fushë.

Ai tha se përgjatë këtij viti do të punojnë që të rritet qasja e grave në pronë dhe trashëgimi.

Kurti: Do të angazhohemi për fuqizimin ekonomik e shoqëror të grave në Kosovë

Ky zotim i yni sot është zotim për angazhim që vazhdon e shtohet për fuqizimin ekonomik e shoqëror të grave përmes mundësive të reja që rrisin pjesëmarrjen e tyre aktive në tregun e punës. Këtë vit 2025 do të punojmë për të rritur qasjen e grave në pronë dhe trashëgimi duke i ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre pronësore e trashëgimore. Angazhimi ynë për barazi gjinore do të përfshijë politika që zvogëlojnë hendekun gjinor në institucionet publike dhe sektorët profesional. Do të përkushtohemi edhe më shumë në arsimimin e vajzave dhe grave sikurse edhe në shëndetin e tyre veçanërisht në fushën e shëndetit riprodhues dhe mendor duke garantuar qasje në shërbime cilësore të përballueshme dhe të barabarta. Prioritet i rëndësishëm mbetet mbrojtja e grave dhe vajzave nga çdo formë e dhunës me theks të veçantë dhunën në familje dhe dhunën seksuale”, thotë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat