Gashi: Së pari zyrtarët e shtetit duhet të trajnohen për mbrojte të të dhënave, pastaj qytetarët

Aktuale

Gashi: Së pari zyrtarët e shtetit duhet të trajnohen për mbrojte të të dhënave, pastaj qytetarët

Më: 10 janar 2025 Në ora: 20:19
Kujtim Gashi

Kryetemë e diskutimit në emisionin Edu Media të premten, ishte çështja e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave të qytetarëve, sidomos kur janë të kyçur në përmbajtje mediatike.

Kujtim Gashi, ish-drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit deklaroi se duhet trajnim i stafit që punon nëpër institucione të vendit që ata fillimisht të dinë rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave, e më pastaj edhe qytetarët.

“Unë e shoh një sfidë serioze. Më tepër se që duhet të vetëdijesohen qytetarët, duhet zyrtarët e institucioneve që në një masë nuk e kanë njohurinë dhe përgjegjësinë e duhur se sa e rëndësishme është ruajtja e të dhënave. Qytetarët kanë shumë të dhëna në shumë sisteme që i ekspozojnë ato pa dijeninë e tyre në mungesë të informacioneve, dhe në anë tjetër janë zyrtarët e shtetit që kanë qasje në të dhënat tona e në mungesë të respektimit të praktikave dhe politikave që duhet të ekzistojnë dhe të plotësohen disa akte të tjera ligjore që secili institucion përkatës të vë rregull dhe standardet që të ndjekë rekomandimet dhe udhëzimet e AIP-së. Kjo do të ulte në masë të madhe lëshimet e mëdha që mund të bëhen si rezultat i asaj që ne për çdo ditë mund t’i ekspozohemi në masë të madhe abuzimit nga kategori dhe grupe të caktuara që kanë për qëllim përdorimin të të dhënave tona personale, si mediat sociale, sistemet e ndryshme që përdoren”, deklaroi Gashi.

Si profesor i mbrojtjes së të dhënave, Gashi tutje shtoi se qytetarët nuk duhet të japin të dhëna të ndjeshme në platforma të pasigurta dhe të mos vendosin fjalëkalime të lehta e të thjeshta. Poashtu, ai kërkoi që qytetarët të mos vendosin një fjalëkalim të njëjtë në shumë platforma apo aplikacione.

Mes tjerash, Kujtim Gashi vlerëson se qytetarët bien pre e mosnjohurive të tyre, teksa thotë se fëmijët dhe të miturit janë më të cenuarit.

Ai thotë se “vjedhja e të dhënave të bankës, të dhënave të kartelave bankare ose të dhënat e profileve, identiteteve, janë sfidë serioze edhe në vendin tonë”.

“Gjatë kohëve të fundit, një numër shumë i madh i përdoruesve u është ekspozuar rreziqeve të tilla”, përfundoi Gashi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat