Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar sot Mentor Kaçin, ish i burgosur politik, filmbërës dhe piktor i njohur nga Gjakova.
Kurti vlerësoi lart sakrificën dhe kontributin e Kaçit për lirinë dhe artin, duke theksuar se ai mbetet një figurë frymëzimi për të gjitha gjeneratat.
“Dy herë i burgosur për idealet e lirisë – në vitin 1981 për pesë vjet dhe në vitin 1991 për shtatë vjet. Ai bashkë me shokë tjerë i qepën uniformat e para të Ushtrisë së Kosovës. Veprimtaria e tij si artist dhe aktivist dëshmon lidhjen e fortë mes krijimtarisë artistike dhe përkushtimit kombëtar,” deklaroi Kurti.
Gjatë vizitës në Gjakovë, Kurti theksoi respektin e madh që qyteti dhe mbarë Kosova kanë për rolin historik dhe artistik të Mentor Kaçit.
“Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë dhe të shprehim vlerësimin tonë për sakrificën dhe trashëgiminë e tij, që është një shembull frymëzimi për brezat e rinj,” u shpreh ai.