Haradinaj e Limaj e nisin fushatën me kritika ndaj Kurtit

Aktuale

Haradinaj e Limaj e nisin fushatën me kritika ndaj Kurtit

Më: 12 janar 2025 Në ora: 20:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal hapi sot zyrtarisht fushatën zgjedhore në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Hapja e fushatës u bë me këndim të himnit kombëtar nga të pranishmit.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj ka akuzuar Albin Kurti se e ka sjell Kosovën në gjendje të keqe.

Ai në hapje të fushatës së Koalicionit për Kosovën Fituese ka kërkuar që më 9 shkurt qytetarët të votojnë njerëzit që i dalin zot vendit.

“Kur vjen koha e mirë krijohen e dalin edhe njerëz të ligj. Albin Kurti është njeri i lig. Klika e tij janë njerëz të ligj e kur vijnë njerëz të ligj sikur Albin Kurti vijmë në kohën e keqe prapë. Për këtë arsye nevojiten njerëz të zot”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka vazhduar kritikat ndaj Albin Kurtit duke përmendur qasjen e tij ndaj kategorive të dala nga lufta dhe intervistimin nga prokuroria.

Albin Kurti nuk ka pranuar të shkojë në prokurori për intervistim, derisa ka ftuar këtë të fundit ta presë në zyrën e tij.

Haradinaj në hapje të fushatës zgjedhore të Koalicionit për Kosovën Fituese tha se Kurti po e pengon zhvillimin e Kosovës.

“Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së, ne kemi qenë në UÇK dhe kemi luftuar për liri. Shko, sepse e ke fyer dhe poshtëruar nderin e luftëtarit të lirisë. TI je mercenar, nuk ka mercenar në UÇK. Ti je mercenar dhe shkoni. Shko se i ke penguar punët e Kosovës. Shko, Albin te prokurori, shko, se nuk po dëshirojmë të vidhen rezervat shtetërore, shko sepse nuk dëshirojmë të vidhet buka e ushtarit, s’po dëshirojmë të vidhet energjia, shko te prokurori, merri edhe hajnat e tjerë, shko te prokurori, sepse je shefi i hajnave. Nuk është askush mbi ligjin dhe as ti”, tha Haradinaj.

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj në fjalën e tij tha se veprat sjellin fitore, për një Kosovë fituese.

E për vepra tjera fituese në Kosovë, Limaj thotë të votohet numri 137.

“Sllogani ynë me Kosovën fituese, Kosova fituese ka ardhur deri këtu me vepra, dhe ashtu do ta vazhdojmë me vepra të mëdha Kosovën tonë fituese. Kosova fituese ka ardhur me veprën e madhe të lirisë së Kosovës, në krye me komandantin legjendar, e qindra mijëra dëshmorë, e invalidë, e veteranë, e familje patriotike anë e kënd Kosovës dhe kombit shqiptar. Veprat sjellin fitore, mirëqenie, siguri, fuqi e dashuri për atdheun. Veprat sjellin krenari. Ne jemi bashkuar për t’i sjellur vepra Kosovës”, tha Limaj.

Koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal po garon në zgjedhjet e 9 shkurtit me numrin 137.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat