Eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në Speciale, diskutohet një raport i ADN-së

Aktuale

Eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në Speciale, diskutohet një raport i ADN-së

Më: 13 janar 2025 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 13:20 më 13.01.2025
William Goodwin

Eksperti ligjor: S’kam qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së, përfundimet janë nga një organizatë tjetër dhe i kam rishikuar gjetjet

Dëshmitari William Goodwin gjatë dëshmisë së tij në Hagë pohoi se nuk ka qenë i përfshire në analizimin e ADN-së dhe as në procesin që nga fillimi e po ashtu as në krijimin e raporteve të cilat i lexoi gjatë udhëzimeve.

Si rrjedhojë, ai pohoi se deduksionet e tij janë në fakt përfundime të të tjerave.

“Po janë të një organizate tjetër”, tha dëshmitari.

Më pas, avokatja i tha dëshmitarit në formë të pyetjes se ndonjëherë mund të identifikohet raporti e ndonjëherë jo”. Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitari duke shtuar se nuk ka folur asnjëherë me personat që i krijuan këto raporte.

Madje, ai shtoi se prokuroria nuk ia ka kërkuar këtë gjë dhe as vetë ai atyre.

“As nuk ma kanë kërkuar dhe as nuk ua kërkova”, tha dëshmitari.

Dëshmitari pohoi se të gjitha raportet e kishin burimin nga ICMP-ja dhe se për njërin, dëshmitari e kishte bërë rishkrimin e një raporti.

Ai gjithashtu pohoi se këto raporte citonin një përputhje identiteti me persona të lidhur me këtë çështje gjyqësore.

Goodwin pohoi se prokuroria ia ka dhënë disa të dhëna si bazë për punën e tij dhe se i është  kërkuar që të jetë i fokusuar në përgjigjet e tij.

Avokatja e Kadri Veselit, Colleen Rohan pyeti dëshmitarin nëse i është kërkuar nga prokuroria që të bëjë një analizë të re nga e para që do të thotë t’i analizonte vetë ai profilet e ADN-së dhe të nxirrte përfundime vetë se nga do të ishte probabiliteti i një përputhje.

“Nga pikëpamja praktike jo nuk më është kërkuar. Unë nuk kam bërë asnjëherë ndonjë rishikim të analizës, unë kam rishikuar gjetjet”, tha Goodwin duke mohuar se iu është kërkuar që të vërtetonte në thelb saktësinë apo vërtetësinë e atyre të dhënave.

Ai gjithashtu pohoi se nuk iu është kërkuar që të shikojë nëse metodologjia e praktikuar është në përputhje me standardet përkatëse.

Ndërsa për raportet, ai pohoi se del që mostrat janë nxjerrë nga eshtrat gjatë proceseve të zhvarrimeve. Pra, ajo që ka parë Goodwin në këto raporte ishin analiza nga mbetjet skeletore të zhvarrimeve.

“Nuk kam pasur njohuri metodika cila është përdorur”, tha dëshmitari.

Eksperti i mjekësisë ligjore William Goodwin nis dëshminë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 111-të i Zyrës ë Prokurorit të Specializuar (ZPS), eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin (i cili mbanë kodin W04875), në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.

Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.

Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.

Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një pjesë e raporti ku sipas prokurorit mund të shihen tipat e personave të testuar.

“Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni që informacionet shtesë që po shihni tani; nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, tha prokurori.“Në këtë rast kanë. Kemi të dhëna të plota. Kemi nënën, babain, të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat. Kem vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Pra, bashkërisht mund të nxjerrim shkallë të gjasave të larta për secilin prej tyre”, u përgjigj dëshmitari.

Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.

Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në Speciale

Eksperti i mjekësisë forenzike, William Goodwin, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndja ish krerëve të UÇK-së. Ai pyetet lidhur me raportet që i ka përpiluar.

Eksperti Goodwin po jep përgjigje lidhur me gjasat e lidhjes gjenetike mes viktimave në aktakuzë dhe atyre që pretendohet se janë familjarët e tyre. Goodwin ka dhënë dëshmi mbi ekspertizën e tij edhe në gjykimin e Pjetër Shalës.

---------

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin sot para trupit gjykues në Hagë.

Gjykata Speciale rifillon punën pas pushimit dimëror, me seancë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Seancat do të rikthehen në orarin e tyre të rregullt, nga e hëna në të enjten, me fillim nga ora 09:00. 

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.

Gjatë vitit 2024 në këtë rast janë mbajtur gjithsej 107 seanca, kurse në total janë kaluar 182 ditë në sallën e gjyqit që nga fillimi i gjykimit. Kanë dëshmuar gjithsej 110 dëshmitarë të ZPS-së.

Gjatë vitit 2023 dëshmuan 39 prej tyre dhe dëshmitari i 39-të e përfundoi dëshminë në janar të 2024-ës. Gjatë 2024-ës kanë dëshmuar edhe 71 dëshmitarë të tjerë. Aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë proces është 154.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat