Gjykimi në Hagë, Prokuroria ka edhe 72 dëshmitarë

Aktuale

Gjykimi në Hagë, Prokuroria ka edhe 72 dëshmitarë

Më: 13 janar 2025 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Ekipi i prokurorëve në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçit, dhe të tjerëve të akuzuar për bashkëveprim në krime lufte ka në listë edhe 72 dëshmitarë për të përmbyllur çështjen e saj. Megjithatë në mars do të vendoset nëse prokuroria do të shtojë dëshmitarë të rinj në listën e saj fillestare prej më shumë se 320.

Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara pritet të vendos në mars nëse do të thërras dëshmitarë shtesë, në rastin e ish-krerëve të lartë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të akuzuar për bashkëveprim në krime lufte.

Për 72 dëshmitarët e mbetur, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Grip, i ka thënë Radio Kosovës se në konferencat e ardhshme statusore do të vendoset se sa prova do të pranohen me shkrim dhe sa dëshmitarë duhet të paraqiten në gjykatë, përderisa avokati i viktimave gjithashtu do të paraqes rastet e tyre. 

“Prokurori specialist, natyrisht, mund të vendosë edhe heqjen e dëshmive shtesë. Së pari, dhe më kryesorja, ekipet e mbrojtjes do të pyeten nëse duan të paraqesin një kërkesë për heqjen e disa ose të gjitha akuzave”, ka thënë Griep.

Avokati, Lluka Misetic, që kryeson ekipin e mbrojtës së ish presidentit, Hashim Thaçi, i ka thënë Radio Kosovës se nuk kanë paraqitur ende listën e dëshmitarëve që duhet të hiqen dhe as dëshmitarëve të mbrojtjes. Në këtë pikë, palët ende janë të fokusuara të sigurohen se prokuroria të mund ta mbyllë çështjen e saj brenda afatit të rënë dakord në prillit të këtij viti.

Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë  kishte paraqitur një listë  të dëshmitarëve të prokurorisë me 323 dëshmitarë nga të cilët deri më tani kanë dëshmuar, 110 persona në sallën e gjykatës apo kanë qenë në dispozicion për t'u marrë në pyetje. Gjithashtu 86 dëshmi janë pranuar vetëm në formë të shkruar, përderisa 55 dëshmitarë të tjerë janë hequr nga lista fillestare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat