Në korridoret e errëta të politikës shqiptare, aty ku për dekada me radhë pasuria dhe fuqia janë ndërtuar mbi kurrizin e shqiptarëve të thjeshtë, duket se ka nisur një lëkundje që nuk mund të ndalet më.
Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka paralajmëruar një “tërmet” që do të shkundë nga themelet elitën e korruptuar të këtij vendi, teksa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur të zbulojë pasuri marramendëse të fshehura në banka, parajsa fiskale, offshore dhe bodrume të errëta. Përmes një reagimin në rrjetet sociale, avokat Ngjela zbuloi se mbi tre miliardë euro u janë zbuluar vetëm tre zyrtarëve të lartë, duke dëshmuar kështu një pasqyrë të tmerrshme e abuzimit me pushtetin dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Mirëpo, ndërsa drejtësia po afron, të korruptuarit nuk dorëzohen, ndërsa histeria e tyre për të mbrojtur pasuritë e vjedhura është bërë e dukshme, nga fushatat e akuzave dhe shpifjeve deri te manipulimi i opinionit publik. Megjithatë sipas tij, koha kur Shqipëria përballej e pafuqishme ndaj një sistemi të korruptuar duket se po mbaron. Ngjela thekson se me ndihmën e politikës amerikane dhe strukturave ndërkombëtare, SPAK është bërë shpresa e fundit për një popull të zhgënjyer dhe të shkelur. Por a mund të justifikojnë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar shqiptarë miliona eurot e depozituara në banka të huaja me rrogat e tyre?
A do të arrijnë dot të shmangin litarin e drejtësisë? Fakti mbetet i pamohueshëm: koha e maskarenjve po mbaron, dhe ky është momenti kur Shqipëria ose do të triumfojë mbi korrupsionin, ose do të zhytet më tej në errësirë. Kështu që për ata që kanë përdorur pushtetin për të rrënuar një komb, duket se lakmia po kthehet në tragjedi. SPAK ka nisur numërimin e fundit dhe drejtësia duket se më në fund po troket. Shqiptarët kanë vuajtur mjaft, ndërkohë që tani është koha për t’u rikthyer vendin që u është grabitur. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të avokat Ngjelës në rrjetin sociale “Facebook”.
Reagimi i avokat Ngjelës në “Facebook”
Sot në Shqipëri nuk mund të shpëtojnë dot nga drejtësia e SPAK- ut, të korruptuarit e lartë të politikës shqiptare. Se këta e kishin sjellë kohën që çështjen e tyre si vjedhës, ajo ta shihte kështu: Ose me paratë dhe pasuritë e tyre të përfituara me abuzim politik dhe vjedhje, por pa Shqipërinë e shqiptarët, ose me ata të goditur për vdekje nga drejtësia e re SPAK, dhe me Shqipërinë e me shqiptarët. Dhe koha, me ndihmën e politikës amerikane, për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga korrupsioni solli njësinë gjyqësore SPAK për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por të korruptuarit si injorantë iu lëshuan SPAK-ut me sharje, akuza, shpifje e gënjeshtra, se menduan që me një tubim gjigant do ta likuidonin SPAK- un brenda një të diele. Sepse kështu i shtyn ngaherë frika vjedhësit që mendojnë se kanë fituar pushtet.
Kush e drejton SPAK?
Por pyetja ishte kjo: Mirë që ju të korruptuarit që kishit paratë dhe thirrjet histerike për drejtësi të pushtuar nga ju, por nuk e dinit ju që SPAK nuk drejtohet nga korrupsioni shqiptar, por nga anti-korrupsioni që e shoqëron ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?! Dhe, pikërisht për këtë, korrupsionit të lartë shtetëror në shesh i dolën rreth 200 ose 300 persona në mbrojtje të korrupsionit. Po tani? Asgjë, SPAK do të vijojë goditjen penale antikorrupsion. Kurse të korruptuarit e akuzuar po na thonë se janë të pafajshëm. Por pafajësia e tyre provohet në një gjykatë të SPAK- ut dhe jo në një gazetë. Dhe, ju o të akuzuar!… po fituat në një gjykatë kompetente askush nuk ju nget dot juve, nëse vërtet paratë që i keni nëpër banka jashtë Shqipërisë janë të kursyera nga rrogat që keni pasur si kryeministra apo si ministra, apo edhe si kryetarë bashkish. Nese ju jeni me miliona dollarë dhe nuk i justifikoni dot me rrogat tuaja, të gjitha do t’ju merren, sepse ato para janë krijuar me korrupsion dhe vjedhje të shqiptarëve. Shumë e thjeshtë është kjo. Por ekspertët ndërkombëtarë na kanë thënë që vetëm tre prej pushtetarëve u janë gjetur nëpër bankat e huaja dhe në offshore mbi tre miliardë euro.
Çfarë pretendojnë të korruptuarit?
Por gjithsesi, në gjyq do t’i dëgjojmë të gjitha. Edhe për pallatet që po përflitet se janë ndërtuar nga korrupsioni, edhe për vilat në Shqipëri e jashtë saj. Po nuk janë të vërteta këto, shumë mirë. Por, nëse janë të vërteta!!! Sigurisht, këto edhe mund të mos jenë të vërteta, por paratë janë nëpër banka të identifikuara. Por po dëgjojmë se korrupsioni thotë që “këto para nuk janë të tyret”. Ato do të merren, por nëse nuk janë tuajat, të kujt janë? Se paska nëpër depozita edhe ca emra të çuditshëm plakash që jetojnë nëpër bodrumet, por paskan miliona, por edhe emra personash të çuditshëm që kanë deklaruar se ata nuk e kishin ditur që ishin këto shuma kaq të mëdha në emrat e tyre. Dhe kjo, kuptohet se për opinionin publik është. një komedi, por për të korruptuarit kjo shpërthen si një gjëmë me tragjedi.
Në banka e nëpër bodrume, thuhet sikur janë milionat e dollarëve të korrupsionit. Kështu thuhet. Por nëse kjo nuk është e vërtetë sigurisht që është në favorin e vjedhësve të akuzuar. Dhe koha ecën, dhe gjykatat punojnë, kurse mbi dhe sipër pallateve luksozë, qëndron urrejtja e shqiptarëve që vuajnë mungesën e atdheut, humbjen dhe prishjen e familjes nga largimi në emigracion, dhe që po vuajnë krimin dhe vrasjen e fëmijëve nga bandat që drejtohen edhe nga korrupsioni, por edhe nga krimi ekonomik; edhe nga hajdutët dhe turli lloj individësh që, si të dehur, me krenari iu futën krimit. Dhe koha që sundohet nga krimi, nuk zmbrapset, ajo ecë me paranë, për paranë dhe me triumfin e krimit mbi një shoqëri të pushtuar prej tij. Dhe kjo këtyre u duket si mbretëritë e vogla mesjetare, që depozitonin florinjtë në arka me florinj dhe dhunonin popullin e tyre. Dhe laku po mblidhet, por ata shpresojnë që te ketë ndryshim në favor të korrupsionit. Dhe tani shpresa, e të gjithë korrupsionin të lartë shtetëror, i ka lindur drejt Presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Po pse nuk thonë që i mbyturi në det shpreson të shpëtojë edhe duke u mbajtur në disa fije kashte. Po nuk ka problem, se shpresa është shpresë, por edhe drejtësia antikorrupsion në Shqipëri është në dorë të SPAK që paguhet, është zgjidhur për drejtësi dhe kontrollohet nga ekspertiza amerikane. Po, nëse është kështu, atëherë koha e maskarenjve në Shqipëri duhet të jetë drejt fundit të saj. Sigurisht.