Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij dëshiron të jetë vend i takimit midis presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas Lulzim Veliut, ekspert i çështjeve të sigurisë, kjo është një përpjekje për ta vendosur Serbinë në qendër të diplomacisë botërore, megjithëse suksesi i kësaj nisme mbetet i paqartë, duke marrë parasysh konkurrencën nga vende të tjera si Turqia.
“Serbia në këtë rast mundohet që me veprimet e tilla të shtrijë autoritetin e saj dhe njëkohësisht të bëhet qendër e botës me një takim të tillë. Sa do të arrijë, nuk e dimë, sepse ka edhe vende të tjera të interesuara, si Turqia, dhe unë e shoh Turqinë si një pretendent të rëndësishëm, tha Veliu, në emisionin “Kosova Today”.
Sa i përket Kosovës, se a do arrinte të ishtë mikëpritëse e një takimi të tillë ai potencoi se ka faktorë të tjerë që e lënë në hije Kosovën dhe çështjen e saj.
Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, kriza në Tajvan dhe zhvillimet e reja nga presidenti Trump janë faktorë që kanë ndikuar, tha Veliu.
Ai shtoi se Kosova nuk ka ditur ta shfrytëzojë momentumin politik për të përfituar nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja.
“Ne nuk arritëm të kapim trenin e fundit dhe jemi në një situatë ku fokusi i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht i SHBA-së, nuk është më rreth Kosovës”, tha Veliu.