Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me gjuhën e ashpër të tij ndaj opozitës. Një ditë pasi Kurti në një tubim në Mitrovicë i quajti “zuzar” opozitarët, Stavileci tha se Kurti në mungesë të platformës konkrete për qytetarët po mallkon të kaluarën.
Ai në një konferencë për media të hënën, tha se gjuha e ashpër e Kurtit ndaj partive të tjera është si rezultat edhe dështimeve të shumta gjatë mandatit katërvjeçar.
Stavileci: Në mungesë të platformës konkrete për qytetarët, Kurti po mallkon të kaluarën
“Në mungesë të platformave konkrete për qytetarët, pastaj me dështimet e shumta që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në një kohë kur qytetarët vuajnë nga mungesa e energjisë nga një arsimim i dobët dhe shumë sfera të tjera që kemi ngecur, kryeministri merret me të kaluarën. Mirëpo kjo nuk është për t’u çuditur sepse ju po e shihni se të njëjtën gjë po e bënë me mediat dhe debatet. Nëse s’ke çfarë për t’iu thënë qytetarëve tuaj që i keni premtuar shumë atëherë ke vetëm një zgjidhje për të ikur apo siç e ka stilin për të mallkuar të kaluarën”, tha ai.
Krahas kësaj, pas nisjes së fushatës zgjedhore, Stavileci tha se dy tubimet e PDK-së në Prishtinë dhe Ferizaj treguan se Kosova është gati për një të ardhme më të mirë.
Stavileci: Kosova është gati për një të ardhme më të mirë
“Kosova është gati për një të ardhme më të mirë. Kjo nuk është thjesht një fushatë ky është një mision dhe mbi të gjitha një rrugëtim i pandalshëm i atyre qytetarëve që besojnë se Kosova mundet më mirë. Qytetarëve të Prishtinës dhe Ferizajt i falënderojmë nga zemra. Përkrahja juaj e madhe, energjia dhe besimi juaj te Bedri Hamza kryeministër janë forca që na shtyjnë përpara...Kosova po flet dhe porosia është e qartë. Është koha për më mirë. Është koha për të rikthyer dinjitetin dhe çliruar potencialin e Kosovës sonë për më mirë”, theksoi zëdhënësi i PDK-së.
Fushata zgjedhore ka nisur me 11 janar, ku partitë politike kanë filluar mbajtjen e tubimeve elektorale me qytetarët.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 9 shkurt.