Ministrja Gërvalla viziton familjen e Muharrem Rexhepit në Mitrovicë

Aktuale

Ministrja Gërvalla viziton familjen e Muharrem Rexhepit në Mitrovicë

Më: 13 janar 2025 Në ora: 14:05
Foto nga vizita

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka vizituar familjen e Muharrem Rexhepit në Mitrovicë.

Muharrem Rexhepi më 9 qershor të vitit 1999 u rrëmbye nga forcat serbe dhe nuk u kthye më.

“Simbol i forcës dhe qëndresës për atdhe, Familja e Muharrem Rexhepit në veri të Mitrovicës Më 9 qershor 1999, ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, kur gjithë Kosova po kalonte një moment të ri, familja Rexhepi përjetoi një tragjedi. Muharrem Rexhepi u rrëmbye nga forcat paramilitare serbe, dhe kurrë nuk u kthye më. Po atë natë, shumë fqinjë të tyre nga lagjja “Te Tre Rrokaqiejt” u masakruan, duke lënë pas dhimbje të madhe dhe një boshllëk të pamundur për t’u mbushur”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

“Bajrami, djali i Muharremit, ishte vetëm 22 vjeç në atë kohë, një djalë i ri që u bë shtyllë e fortë për nënën Elfije dhe për familjen, duke qëndruar i patundur për të ruajtur dinjitetin dhe kujtimin e babait të tij dhe nuk u dorëzuan përballë sulmeve të vazhdueshme dhe kërcënimeve të shumta. Shumë e nderuar që vizituam nënën Elfije, gruan e Muharrem Rexhepit, një grua e fuqishme që mbajti gjallë shpresën dhe dinjitetin e familjes, përballë sfidave të paimagjinueshme. Qëndrueshmëria e familjes Rexhepi është motiv për brezat e ardhshëm, një kujtesë se dinjiteti dhe shpresa janë të pamposhtura, përballë çdo sfide. Lavdi jetës dhe veprës së Muharrem Rexhepit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat