Lumir Abdixhiku, kandidati për kryeministër i LDK-së, ka vizituar sot hapësirat e reja të Kampusit të Shkollave të Mesme në Viti.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se ky është një projekt i jashtëzakonshëm që po përfundon nën udhëheqjen e kryetarit Sokol Haliti dhe me përkushtimin e mbështetjen e LDK-së.
“Ky kampus është dëshmi e qartë e vizionit tonë për një arsim më të mirë, ku infrastruktura moderne krijon hapësira të përshtatshme për zhvillimin e brezave të rinj. Të rrethuar nga afro 100 mësimdhënës, ndamë idetë tona për një sistem arsimor që fuqizon mësimdhënësit e nxënësit, dhe që e çon Kosovën përpara”, ka thënë Abdixhiku.
Ndër tjera, ai ka treguar programin për arsim të LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit:
Mësimin gjithëditor në së paku 5 komuna;
Koeficientin 150 për të gjithë të punësuarit në sektorin arsimit – në javën e parë;
Ndërtimin e 80 çerdheve të reja publike;
Digjitalizimin e plotë të shkollave, për një qasje moderne dhe të integruar për nxënësit, mësuesit dhe prindërit;
Klasa me më pak nxënës, për më shumë vëmendje ndaj secilit nxënës dhe për mësimdhënie më cilësore;
Kodimin si lëndë të detyrueshme në shkollat fillore, për të përgatitur nxënësit për epokën digjitale.