Vetëvendosje mban tubim elektoral në Pejë/ Kurti: Populli ka vendosur

Aktuale

Vetëvendosje mban tubim elektoral në Pejë/ Kurti: Populli ka vendosur

Më: 13 janar 2025 Në ora: 19:02 Përditësuar në ora: 19:53 më 13.01.2025
Vetëvendosje mban tubim elektoral në Pejë

Kurti në Pejë: Ne i vendosim vet rekordet dhe vet i thyejmë ato

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka mbajtur një tubim në Pejë, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai e ka cilësuar mbështetjen e pejanëve si të pakursyer dhe të pandalshme, duke theksuar rëndësinë e saj në përballimin e sfidave dhe krizave.

“E dashura Pejë, kjo mikpritje kaq e zjarrtë ma mbush zemrën me gëzim e mendjen me përgjegjësi. Faleminderit shumë. Faleminderit për sonte, faleminderit për secilën ditë, të secilës javë, të çdo muaji, përgjatë këtyre shumë viteve që na keni mbështetur pa rezervë, pa kursim, pa pushim në të gjitha stuhitë dhe krizat që i kemi kaluar si Qeveri e Republikës dhe si Lëvizje Vetëvendosje,” tha Kurti.

Ai vlerësoi qytetin e Pejës si një vend të veçantë, duke përmendur bukuritë natyrore, historinë dhe kulturën e tij.

“Të dashur qytetarë të Pejës, fitoren e Vetëvendosjes nuk ka fuqi që mund ta ndalë. Fitoren e Vetëvendosjes e të koalicionit tonë me Guxo dhe Alternativën, nuk mund ta ndalim as ne vet, sepse populli ka vendosur, e po vendos vet,” u shpreh Kurti, duke nënvizuar vendosmërinë për të vazhduar rrugën e nisur.

Ai theksoi arritjet e qeverisë së tij, duke përmendur rritjen e bruto produktit vendor, të hyrave tatimore dhe buxhetit të shtetit gjatë mandatit të tij.

“Ne tash si asnjëherë më parë jemi rritur shumë e kur rritesh shumë, rriten mundësitë për t’u rritur. Por, neve tash na duhet që të rritemi edhe më shumë, na duhet ta rrisim fitoren tonë në lartësinë e gjysmë milioni zemrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës,” tha ai.

Kurti bëri thirrje për pjesëmarrje të madhe në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave si në votim, ashtu edhe në punësim.

“Me mbi 500 mijë zemra që thurin vargun e fitores së numrit 118, le ta thyejmë rekordin edhe në punësim me mbi gjysmë milioni qytetarë të Republikës që punojnë për familje, për atdheun e tyre, për mirëqenien e secilit,” përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat