Pozitë e opozitë ia pamundësuan Kosovës që të përfitojë financiarisht nga marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Kjo pasi 9 marrëveshje ndërkombëtare, përfitimet nga të cilat vlerësohet se do të ishin milionëshe, kanë mbetur pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Të gjitha ato rrezikojnë të kthehen në pikën zero.
Kuvendi nuk ka arritur ta ratifikojë as amendamentin e marrëveshjes për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në organizatat e grupit të Bankës Botërore.
Ndërkaq, dy taborët politikë nuk arritën të shtyjnë para as marrëveshjen e financimit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe atë të kredisë me Bankën Evropiane për Investime për projekte në KEK.
Realizimi i gjithë këtyre marrëveshjeve, sipas njohësve të fushës, do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi thotë për RTK se Kuvendi ka kohë deri në mars që të mblidhet sërish për t’i kaluar këto marrëveshje.
Ndonëse nuk është parë ndonjë iniciativë në këtë drejtim.
Por, përveç marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe 32 projektligje të tjera të rëndësishme për qytetarët, pritet të kthehen në pikën zero.
Kuvendi gjatë mandatit të plotë të kësaj legjislature ka përmbushur mesatarisht 26% të planit legjislativ. Në këtë legjislaturë u miratuan gjithsej 282 ligje, 205 prej të cilave ishin të brendshme dhe 77 ndërkombëtare.
Me gjithë rëndësinë e marrëveshjeve ndërkombëtare që mbetën pa u kaluar, nuk dihet nëse qeveria e re do t’i procedojë të njëjtat në legjislaturën e re, apo nëse institucionet ndërkombëtare do të heqin dorë nga to.