“Ta haj dreqi”/ Sokol Dobruna thotë se ka probleme me kujtesën gjatë dëshmisë së tij në Hagë

Aktuale

“Ta haj dreqi”/ Sokol Dobruna thotë se ka probleme me kujtesën gjatë dëshmisë së tij në Hagë

Më: 14 janar 2025 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 13:04 më 14.01.2025
Sokol Dobruna

Ndërpritet dëshmia e Sokol Dobrunës shkaku i vështirësive me kujtesën, do t’i pranohen deklaratat me shkrim

 Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është marrë vendim që dëshmitari Sokol Dobruna ta ndërpresë dëshminë e tij si pasojë e vështirësive që kishte me kujtesën.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smiht III, palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat me shkrim që ai tashmë i ka dhënë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitar, ne do të ndërpresim dëshminë tuaj këtu sepse palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat që keni dhënë ju më parë dhe që ato janë të plota dhe do të pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim sepse kishit disa vështirësi për të mbajtur mend disa prej çështjeve. Ky është vendimi i trupi gjykues. Nuk është e nevojshme që të jepni më dëshmi. Ju falënderojmë që ishit i pranishëm dhe ju urojmë gjithë të mirat dëshmitar”, tha Smith.

Megjithatë, fjalën e mori edhe dëshmitari Sokol Dobruna, i cili nuk u kuptua qartë se për çfarë e kishte fjalën.

“Faleminderit, por më lejoni të them se një gjë të tillë plotësisht të Prokurorisë nuk e pranoj”, tha Dobruna.

Pas kësaj, sekretares së gjykatës iu kërkua që ta nxjerrë dëshmitarin nga vendi ku ishte ai. Si rrjedhojë, deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet përcjellëse u pranuan në prova materiale.

Ndryshe, pas këtij dëshmitari, seanca pritet të vazhdojë me dëshmitarin e radhës i cili do të jetë i pranishëm përmes video-lidhjes. Veç kësaj, në rast që organizohet transporti, Smith tha se dhe të akuzuarit mund të kthehen në objektin e paraburgimit.

Dobruna: Ka qenë kërkesë e Adem Demaçit që të emërohem Shef i Shërbimit Juridik në UÇK

 Dëshmitari Sokol Dobruna tha se nuk e di procedurën se si ka ndodhur emërimi i tij si Shef i Shërbimit Juridik brenda UÇK-së, por ai shtoi se kjo ka qenë kërkesë e Adem Demaçit.

“Me siguri masi mështë është komuniku qashtu, unë procedurën nuk e di qysh është ardhë deri tek ajo, por unë e di që kërkesa ka qenë e Adem Demaçit”, tha Dobruna.

Kjo përgjigje e Dobrunështës erdhi kur u pyet nga prokurori John Capin se a ka dijeni që ka pasur ndonjë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për emërimin e tij në këtë pozitë.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III urdhëroi që të bëhet edhe një pushim tjetër prej dhjetë minutash.

Pas pushimit, Luka Mishetiq i cili përfaqëson ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit, tha se gjatë pushimit patën komunikim inter-partes lidhur me Rregullën 155 të përdorur nga Prokuroria për pranimin e disa deklaratave si pjesë e provave gjyqësore.

“Ne si mbrojtje nuk e kundërshtojmë këtë. Sidoqoftë, ne do të donim që të bënim disa parashtrime lidhur me këtë. Ne do të diskutojmë mënyrën se si do të pranohen deklaratat dhe për këtë ne nga ana e mbrojtjes kemi nevojë për gjysmë ore kohë dhe do iu themi më konkretisht në orën 11:00”, tha Mishetiq.

Si rrjedhojë, seanca shkoi sështërish në pushim për 30 minuta dhe u tha se do të fillojë në 11:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.

Dobruna në Hagë: Ta haj dreqi, kam probleme me kujtesën

Dëshmitari Sokol Dobruna ka thënë në Hagë se ka probleme me kujtesën, kur u pyet se a i kujtohet që është pyetur në rast se ka parë ndonjë të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleçkës.

“Kam problem me këtë kujtesë, ta haj dreqi. Nuk më kujtohet. S’është me rëndësi, mund të jetë. Nuk e mohoj, ashtu po mendoj”, tha Dobruna, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më konkretisht, a ju kujtohet që keni bërë sqarime në deklaratën tuaj, duke më thënë mua që vendi ku e keni parë këtë të burgosur ka qenë një qeli brenda një burgu, a ju kujtohet kjo dëshmitar?”, pyeti prokurori John Capin, ndërsa Dobruna mohoi me kokë.

Më pas, prokurori pyeti dëshmitarin se a i kujtohet që ka korrigjuar disa fjalë për të cilat ai kishte pretenduar se nuk ishin përkhyer si duhet.

“Nuk e di për cilat fjalë po flitni”, tha Dobruna.

Më pas, prokurori ia prezantoi dëshmitarit një fjalë që ai pretendohet se e ka korrigjuar. Megjithëse insistoi prokurori në freskimin e kujtesës për dëshmitarin, ai tha që nuk i kujtohet.

“Thuaj bre që i kam harru krejt, a e di që i kam harru krejt?! Kallëzoju”, i tha dëshmitari avokatit të tij, Arianit Kocit.

Me kërkesën e prokurorit Capin, trupi gjykues urdhëroi pushim prej dhjetë minutash në mënyrë që Dobruna të konsultohet me avokatin e vet. Ndërsa, kur palët u kthyen në sallë, seanca kaloi në sesion privat për pak.

Pasi u hap seanca, Dorbuna tha se prej 7 shtatorit të 1998-ës ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se ka qëndruar në Jabllanicë.

“Fillimisht ushtar i thjeshtë, pastaj e kam luajt rolin e moralitetit në luftë… s’po më kujtohet mirë… moral- përgjegjës për moral”, tha Dobruna, duke shtuar se komandant i tij ishte Ramush Haradinaj.

Ai pohoi se ka njohur Lahi Brahimajn. Tha se nuk i kujtohet që ka biseduar me atë ose me Ramushi Haradinajn për të kuptuar se çfarë roli kishte Brahimaj.

Dëshmitari thotë se nuk i kujtohet që në verën e vitit 1998 është takuar me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

“Nuk më kujtohet. Me Jakupin kam qenë shok, veprimtar para luftës dhe atje jam shku pa e ditë se çka është fjala. Atje jam shku me udhëzim të përfaqësuesit të të drejtave të njeriut në Kosovë, Adem Demaçi dhe e kam përcjellë tek Jakupi se kam kujtu që ai është se kur e kam pyet atë “A je komandant ti” kam kujtu që është ai dhe më ka thënë që unë jam vetëm zëdhënës dhe qikaq muhabet kam pas”, tha Dobruna kur u pyet se a i kujtohet që ka takuar Thaçin dhe Krasniqin gjatë vjeshtës së ’98-ës.

Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të mbahet deri në 12:30, çdo ditë me 45 minuta vonesë në transmetim.

Veç kësaj, në njoftimin e DhSK-së, thuhet se trupi gjykues ka udhëzuar që pas rekomandimit të Zyrës së DHSK-së për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, të gjitha palët duhet të zbatojnë qasjen e përshtatur të pyetjeve për këtë dëshmitar kurdo që është e mundur. Kjo përfshin ritmin e marrjes në pyetje për të lehtësuar kujtesën e dëshmitarit dhe për të minimizuar pyetjet e përsëritura ose orientuese.

Dobrunës nuk i kujtohen detaje nga takimet e fundit me Prokurorinë, refuzon të përgjigjet në seancë private

Dëshmitari Sokol Dobruna gjatë dëshmisë së tij në Hagë, deklaroi se i ka harruar shumë detaje nga intervistat e tij të fundit dhe takimet e tij me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Madje, ai në një rast mohon që i kujtohet prezenca e avokatit të tij, Arianit Koci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Megjithatë, ndonëse në një rast Koci kërkoi seancë private për dëshmitarin, ai mohoi që të përgjigjet dhe këtë e bëri të ditur gjatë seancës publike.

“Jashtë seancës publike nuk dëshiroj me u përgjigj”, deklaroi Dobruna.

Përpara kësaj, prokurori John Capin pyeti dëshmitarin se a e mban mend që janë takuar bashkë në nëntor të 2024-ës, para dy muajsh.Dëshmitari u përgjigj me “po”. Ndërsa, me “jo” u përgjigj kur u pyet se a i kujtohet që në atë takim u lexuan deklaratat që kishte dhënë më 2018-ën.

“Po a e mban mend që u takuam para ca ditësh- të premten e javës së kaluar. A e mban mend që ne u takuam përmes video-lidhjes dhe ti ishe në zyrën tënde?”, pyeti tutje prokurori, e që dëshmitari e pohoi këtë gjë.

Por në anën tjetër, Dobruna tha që nuk i kujtohet, kur u pyet se në atë takim a ishte i pranishëm avokati Koci.

“Po avokati juaj, zoti Koci a ka qenë i pranishëm në atë takim?”, tha prokurori.

“S’po më kujtohet”, u përgjigj Dobruna.

“A e mban mend që ti me the që të kujtohej që ishim takuar në nëntor të 2024-ës?”, tha prokurori, por që Dobruna sërish tha se nuk i kujtohet.

“Po a të kujtohet që mua me the që e mbaje mend që në nëntor të 2024-ës ne të kishim lexuar të gjithë deklaratën që kishe dhënë më 2018, më the që e mbaje mend këtë?”, pyeti sërish prokurori.

Ndërsa, dëshmitari kërkoi që t‘i lexohet deklarata në mënyrë që t’i kujtohet.

Prokurori sërish vazhdoi me rikujtim për dëshmitarin, duke e pyetur nëse o kujtohet që ai i kishte thënë se leximi i deklaratës së dhënë më herët ishte e lodhshme dhe po e lodhte shumë. Lidhur me këtë, Dobruna u përgjigj “me siguri po”. Ndërsa, kur prokurori e pyeti se a i kujtohet që këtë ia kishte thënë të premten, dëshmitari e mohoi.

Më pas, Dobruna pohoi se i kujtohet që prokurori i kishte thënë se ai dhe Koci janë aty për ta përgatitur dëshmitarin për dëshminë.

Dëshmitari mohoi se i kujtohet që prokurori i ka thënë që qëllimi i takimit ishte që mund të bëjë disa sqarime edhe korrigjime në rast që ka nevojë për deklaratat që ai i ka dhënë në të shkuarën.

Si rrjedhojë, prokurori Capin vazhdoi me pyetjen tjetër duke i thënë dëshmitarit se ai kujtohet që iu ishin lexuar deklaratat e dhëna në të shkuarën dhe se Dobruna kishte merak në rast që korrigjimet mund të mos ishin të sakta.

“E di që ka pas korrigjime mjaftë, por nuk më kujtohet se cilat korrigjime”, u përgjigj më pas Dobruna.

Dëshmitari u përgjigj me ‘jo’ kur u pyet se a i kujtohet që iu lexua një shënim i cili pasqyronte të gjitha korrigjimet që ai i kishte bërë.

Gjithashtu, ai mohoi se një përkthyes ia ka lexuar deklaratat e mëparshme që i ka dhënë dëshmitari.

“A mund të shkojmë për një kohë të shkurtë në seancë të mbyllur”, tha Koci, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Por, pas hapjes së seancës, Dobruna deklaroi që nuk dëshiron të dëshmojë në seancë të mbyllur.

Nis dëshmia e Sokol Dobrunës në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 112-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Sokol Dobruna në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sokol Dobruna mban kodin W04264 në këtë proces dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes. Ai është i përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Koci u pyet nga trupi gjykues se a ka ndonjë çështje në të cilën klienti i tij mund të vetë-inkriminohet gjatë dëshmisë.

“Kërkoj pak mundësi me bisedu lidhur me lëndën me klientin tim për shkak se thjesht nuk mundet me i përcjellë operacionet pak më komplekse në këto çështje. Kështu që rrjedhimisht nuk kam pa ndonjë indikacion që mund të vetë-inkriminohet”, u përgjigj Koci.

Megjithatë, trupi gjykues tha se në rast që del ndonjë e tille, Koci duhet të njoftojë. Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori John Capin.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurori ka parashtruar se i duhen rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen gjashtë orë për kundërpyetjet.Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat