​Nesër në Bruksel takimi për të pagjeturit

Aktuale

​Nesër në Bruksel takimi për të pagjeturit

Më: 14 janar 2025 Në ora: 09:10
Foto ilustrim

Nesër më 15 janar 2025, në Bruksel, do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur, i cili do të zhvillohet në nivel të zëvendësuesve.

Në këtë takim, delegacioni i Kosovës do të përfaqësohet nga Halil Cenaj. Kështu ka njoftuar kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur Andin Hoti, duke thënë se kërkesat e Kosovës kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.

“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”, ka shkruar Hoti.

Edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

Për nevojën e avancimit në dialog, Lajçak shkroi se ka diskutuar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara.

"Misioni im i parë i vitit më çoi në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, shkroi Lajçak.

Ai shkroi se e ka informuar edhe zëvendës sekretarin e Shtetit, Richard Verma, përpara vizitës së këtij të fundit në rajon.

Për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë, Kosova dhe Serbia u pajtuan në dhjetor të vitit të kaluar. Dakordimi për themelimin e Komisionit u bë gjatë takimit trepalësh ndërmjet kryenegociatorëve, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat