Një postim i analistit Lirim Gashi në rrjetin social Facebook ka ngjallur diskutime mbi situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar ndikimin e madh që po ushtrojnë mediat në formën e manipulimit dhe propagandës së orkestruar. Ai trajton një temë delikate dhe të rëndësishme për opinionin publik: ndikimin e mediave në formësimin e perceptimit politik dhe luftën për pushtet.
Përshkrimi i situatës nga Gashi është i ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Ai vë në pah sesi mediat, të udhëhequra nga interesa të jashtme dhe të brendshme, po punojnë intensivisht për t’i dëmtuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, duke përdorur sensacionalizmin si armë kryesore. Sipas tij, kjo është një strategji e qërllimshme që synon të destabilizojë Kosovën dhe të rikthejë në pushtet forca të cilat favorizojnë status quo-në e dëmshme për qytetarët dhe shtetin.
Shkrimi i plotë i analistit Lirim Gashi:
Dallgët e medias dhe oreksi për pushtet
Zgjedhjet e ardhshme nuk janë thjesht një garë mes ideve apo projekteve, por një betejë mes dy botëve: njëra me kokë dhe tjetra pa të. Në një anë kemi një forcë politike që përfaqëson vizionin, strukturën dhe disiplinën për të ndërtuar një shtet, dhe në anën tjetër, mediat e udhëzuara dhe sponsorizuara nga Beogradi dhe Moska për ta shkatërruar atë.
Ajo që po ndodh nuk është thjesht një garë elektorale, por një spektakël i shëmtuar ku media është regjisore, producent dhe aktore kryesore. Kjo media, e frymëzuar nga oreksi i saj i hatashëm për sensacion dhe manipulim, ka krijuar një mision të qartë: rrëzimin e Albin Kurtit dhe shuarjen e Vetëvendosjes. E përditshme, pa pushim, ajo bombardon publikun me lajme që nuk raportojnë, por shërbejnë si armë propagandistike për ata që i urrejnë idetë e ndryshimit dhe guximin e një lideri për të sfiduar status quo-në.
Urrejtja e mediave ndaj Albin Kurtit është pothuajse kozmike në intensitetin e saj. Ato e paraqesin atë si një përbindësh më të frikshëm se Putini dhe Vuçiqi së bashku. Paradoksi është se, ndërsa liderë të tjerë në rajon marrin përkdhelje diplomatike dhe heshtje mediatike për sjelljet e tyre autokratike, Kurti kryqëzohet publikisht për çdo deklaratë apo vendim.
Por çfarë ka bërë Kurti që të meritojë këtë urrejtje të pamëshirshme? Ai ka thyer disa tabu të mëdha: ka sfiduar interesat e oligarkëve, ka ngritur zërën për sovranitetin dhe drejtësinë sociale, dhe mbi të gjitha, ka ndërtuar një kulturë politike që nuk e pranon korrupsionin si normë.
Në fund, zgjedhjet e ardhshme do të jenë më shumë se një garë. Ato do të jenë një test për qytetarin që duhet të zgjedhë mes kokës dhe pakokës. Mes një vizioni që kërkon të ndërtojë dhe një makinerie që synon vetëm të shkatërrojë. Pyetja që mbetet është kjo: kush do të fitojë, arsyeja që siguron rrugëtim në ardhmëri të ndritur apo klithma që siguron prapakthim në errësirë?
Lirim Gashi