Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se sot do të lëshohet zyrtarisht uji në kanalin e Ibër-Lepencit, që ishte dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi më 29 nëntor të vitit të kaluar.
Durmishi në një postim në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në sanimin e këtij problemi.
“Sot edhe zyrtarisht lëshohet uji në kanalin e Ibër Lepencit, pas sulmit terrorist që ndodhi në kanal.
Jam i gëzuar dhe falënderues për të gjithë ata që kontribuuan drejtpërdrejt që kanali të sanohet dhe për asnjë moment qytetarët të mos mbesin pa rrymë e ujë”, ka shkruar Durmishi.
Shpërthimi i 29 nëntorit në Ibër-Lepenc – kanalin në veri të Kosovës, prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas Policisë së Kosovës, dhe u cilësua si më i rëndi në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të furnizimit të rregullt me ujë dhe rrymë në disa zona.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë dhe e cilësoi këtë akt si “sulm terrorist”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se vendi i tij ka gisht në sulm dhe e dënoi atë.
Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë të cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.