Rasti i Banjskës dhe sabotimi në kanalin Ibër-Lepenc janë incidente të veçanta, secila prej të cilave kërkon hetime të pavarura për të vërtetuar faktet dhe përgjegjësinë. Kështu ka thënë komandanti i KFOR-it Enriko Barduani në një intervistë për Kossev.
Sipas tij , KFOR-i nuk ka asnjë rol në hetimin e diversionit të fundit, duke pasur parasysh se zbatimi i ligjit nuk është brenda mandatit të tij.
“Situata në Kosovë mbetet e qetë, por e ndjeshme, me ekspozim të vazhdueshëm ndaj përshkallëzimit të mundshëm”, vlerëson ai.
Ai gjithashtu tha se KFOR-i do të mbajë praninë e tij të përhershme në urën kryesore të Ibrit dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
Barduani ka konfirmuar se çdo prani e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri kërkon miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it.
Në bazë të vlerësimit të sigurisë, ai thotë nuk ka dhënë një miratim të tillë, as në rastin e sulmit në Ibër-Lepenc, e as në atë të Banjskës, derisa vlerëson se situata në Kosovë mbetet e qetë, por e ndjeshme.
“Incidente të izoluara ende mund të ndodhin. Parandalimi i plotë i incidenteve të tilla është kompleks, sepse ato shpesh përfshijnë elementë kriminalë ose terroristë që veprojnë në mënyrë të fshehtë dhe të paparashikueshme,” thotë Barduani.
Por KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në veri të Kosovës, duke siguruar, siç thekson ai, një mjedis të sigurt dhe stabil.
“Mbështetja e institucioneve vendore dhe ruajtja e paanshmërisë, duke qenë plotësisht e përgatitur për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të sigurisë”, tha komandanti.
Barduani thënë se është me rëndësi kyçe shmangia e retorikës dhe veprimeve që mund të rrisin tensionet, pasi kjo do të kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe do të ndikonte negativisht në të gjitha komunitetet, tha ai gjithashtu.
KFOR disa herë ka përsëritur se për situatën aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të ketë vetëm një zgjidhje dhe ajo është politike.
“Kam folur edhe më herët për rëndësinë strategjike të këtij rajoni dhe rolin kyç të dialogut politik në uljen e tensioneve dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.