Ky është vendimi i fundit nga Specialja për Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin

Aktuale

Ky është vendimi i fundit nga Specialja për Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin

Më: 14 janar 2025 Në ora: 13:23
Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit edhe për dy muaj të tjerë.

Me anë të dy vendimeve të ndara, më 13 janar 2025, trupi gjykues ka urdhëruar gjithashtu Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqes në mënyrë shkresore deri më 21 shkurt 2025 parashtrimin e saj për rishqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit për dy të akuzuarit.

Ashtu si për Krasniqin, edhe për Selimin, paneli ka arritur në përfundim se në këto momente nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se të akuzuarit mund t’i shmangen drejtësisë. Megjithatë, për të dy ekziston rreziku që të pengojnë përparimin e procedurave si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët.

Në të dy vendimet, ZPS-ja ka parashtruar se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim që nga vendimet e kaluara për vazhdimin e paraburgimit.

Në rrjedhën e gjithë kësaj, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi për dy të akuzuarit mbetet proporcional.

Megjithatë, paneli ka qenë i qëndrimit se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe asnjë masë alternative nuk mund të menaxhojë në mënyre efektive rreziqet ekzistuese në lidhje me të akuzuarit përveçse mbajtja e tyre në objektin e paraburgimit.

Në dritën e të gjithave këtyre, Paneli gjen se rreziku i pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera mund të menaxhohet vetëm në këtë fazë të procedurave, nëse z. Krasniqi mbetet në objektet e paraburgimit të DhSK-së. Në këto rrethana, Paneli gjen se nuk ka masa alternative që mund të menaxhojnë mjaftueshëm rreziqet në përputhje me Nenin 41 (6) (b) (ii) dhe (iii)”, thuhet në vendim për Krasniqin, e ngjashëm edhe për atë të Selimit.

Si rrjedhojë, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin dhe Selimin edhe për dy muaj të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat