Mëngjesi i 15 janarit i vitit 1999, Reçakun e Shtimes e gjeti të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Aty u vranë dhe u masakruan 45 civilë të pafajshëm e të paarmatosur. Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Ramë Shabani, është i mbijetuar i kësaj masakre nga Reçaku. Ai në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer për përjetimet e asaj dite.
‘E kujtoj shumë të vështirë atë ditë, të gjithë këto viktima i kujtoj sikur atë ditë sepse ata i kam parë pa kokë, pa zemër e pa gjymtyrë të trupit. Për mua është shumë e rëndë të flas për atë ditë sepse ishte e tmerrshme’’, nis rrëfimin Shabani.
Sipas tij, më 15 janar forcat serbe në orët e hershme të mëngjesit kanë rrethuar e gjithë fshatin duke i marrë gratë, fëmijët e pleqtë për t’i dërguar në pjesën e epërme të fshatit tek vendi i quajtur ‘’Kodra e Bebushit’. Aty ishte kryer masakra.
‘’Unë kam qenë në mesin e tyre. Jemi tubuar në bodrumin e shtëpisë së bacit Sadik rreth 30 veta. Pastaj janë ardhur forcat serbe na kanë dërguar jashtë, unë kam qenë me nënën, babin, me gruan e axhes me vëlla, pastaj na kanë rrahur, na kanë maltretuar, na kanë marrë kuletat. Vajza ime ka dashur të vije pas meje dhe asaj i kanë rënë me grusht, pastaj mua më kanë rrahur me shkop derisa është thyer. Na kanë thënë që të shkojmë të gjithë te kodra e Bebushit me duar mbrapa, unë aty arrita të largohem dhe jam shtrirë në një luginë afër atyre që u pushkatuan dhe u masakruan’’, ka thënë Shabani.
Ai tregon se kishte qëndruar i shtrirë me orë të tëra, teksa i ka parë të gjithë të masakruarit pa pjesë të trupit.
‘’Rreth 10 vjet më parë kemi informacione se është dënuar dikush por ne ende kërkojmë drejtësi sepse nuk është punuar asgjë rreth Reçakut. Në ditët e zgjedhjeve Reçakun e vlerësojnë shumë lartë, por nuk është punuar asgjë për zbardhjen e kësaj masakre. Po ashtu për Reçakun nuk është punuar asgjë as në infrastrukturë sepse ne nuk kemi as ujë të pijshëm, as rrugë e rrugica, sa i përket kompleksit prej ish qeverisë së Thaçit nuk ka punuar askush asgjë. Për familjet e Reçakut nuk është bërë asgjë sepse të gjithë fëmijët e tyre kanë ikur jashtë shtetit sepse nuk jetohet me 170 euro’’, ka treguar Shabani.