Komisioni i përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë do të mbajë më 15 janar takimin e parë në Bruksel. Familjarët nuk presin ndonjë rezultat nga ky takim pasi thonë që Serbia vazhdon të neglizhojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se kjo çështje humanitare nuk duhet të ndërlidhet me çështje politike.
Grajqevci: Nuk presim ndonjë rezultat nga takimi i nesërm në Bruksel
“Edhe ky takim në vazhdën e takimeve të njëjta, vetëm me një emër tjetër të cilin e kanë nxjerrë si takim që do të prodhojë rezultat. Por, ne si familjarë nuk presim ndonjë rezultat as prej këtij takimi sepse kemi të bëjmë me një shtet i cili ndërkohë vetë e neglizhon procesin e çështjeve të personave të zhdukur. Dhe e ka kaluar në një fazë politike që nga viti 2004 kjo veç kaloi si problem politik. Çështja humanitare nuk guxon të ndërlidhet me çështje politike sepse kjo është dashur të zgjidhet kaherë. Por, Serbia nuk e ka vullnetin edhe në këtë takim nuk e presim ndonjë rezultat, jemi skeptik rreth kësaj”, thotë Grajqevci.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.
Në Bruksel u arrit dakordimi për themelimin e një Komisioni të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj deklarate.
Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Në Kosovë vazhdimisht pati shqetësime që rrugës mund të dalin pengesa nga Serbia dhe mund të zvarritet sërish ky proces.
Grajqevci insiston që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.
Ai thekson rëndësinë e hapjes së arkivave serbe.
Grajqevci: Bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë më shumë presion Serbisë
“Nëse BE e mbikëqyrë edhe e ka pas nën mbikëqyrje këtë proces qysh prej nënshkrimit të marrëveshjes gjithherë nuk e ka bërë ata të duhurën që duhet t’i bëhet një presion i madh nga Bashkimi Evropian Serbisë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare se po të ishte bërë një presion i duhur mbi Serbinë, sot kjo çështje brenda 24 orëve do të zgjidhej....Më e mira është çështja e hapjes së arkivave sepse Serbia çdo gjë e ka bërë në mënyrë komanduese dhe administrative. Çdo gjë e ka të evidentuar mirë i ka të gjitha shënimet vrasjet, dëbimet”, theksoi ai.
Të hënën, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.
Për nevojën e avancimit në dialog, Lajçak shkroi se ka diskutuar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.
Nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur kërkojnë që ekipi përfaqësues i Kosovës në këtë takim të jetë i përgatitur.
Grajqevci: Përfaqësuesit e Kosovës në këtë Komision të jenë të përgatitur
“Besoj që Komisioni ynë duhet të jetë i përgatitur me kuadro ata që e njohin këtë proces mirë e mirë. Nëse kuadrot tonë shkojnë të papërgatitur në këtë proces nuk do të ketë rezultat..03’17 ende nuk e dimë se kush do të jetë pjesëmarrës, por në mënyrë individuale kemi kërkuar që të jetë një grup shumë mirë i përgatitur se ka djem të përgatitur rreth këtij procesi sepse argumenti është në anën tonë dhe fakte i kemi që mund të dalim fitues në këto bisedime”, deklaroi Grajqevci.
Më 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Shifrat flasin për mbi 13.000 civilë të vrarë gjatë luftës së viteve 1998/99 nga forcat serbe, dhe për mbi 6.000 të zhdukur me dhunë, 1.600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur.