Kosovë shënon nesër 26-vjetori i Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, janë organizuar aktivitetet përkujtimore "Ditët e Reçakut".
Nesër në nivel vendit në ora e parë mësimore, i kushtohet Masakrës së Reçakut, ndërsa në orën 8 e 30 nisin homazhet në Kompleksin Memorial, si dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes.
Krerët e shtetit homazhe do të bëjnë në orën 10:00, kurse në 11:00 do të mbahet Akademia përkujtimore. Në orët e pasdites do të ketë aktivitet tjera për të kujtuar Masakrën e Reçakut.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.
Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.
Pas Masakrës në Reçak, rifilluan luftimet 48-orëshe në mes të UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.