Haradinaj nga Suhareka: Koha e improvizimeve dhe paaftësisë ka marrë fund

Aktuale

Haradinaj nga Suhareka: Koha e improvizimeve dhe paaftësisë ka marrë fund

Më: 14 janar 2025 Në ora: 20:36
Ramush Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot ka qenë në Suharekë, nga ku është shprehur se ky qytet është shembulli i gjallë se si duhet të qeveriset.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se tashmë koha e improvizimeve dhe paaftësisë ka marrë fund.

“Suhareka është shembulli i gjallë se si duhet të qeveriset – me vizion, përkushtim dhe partneritet të ngushtë me sektorin privat. Nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, ky qytet është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik. Ujëmbledhësi i Dragaqinës, stadiumi i ri dhe ngrohtorja qendrore nuk janë thjesht premtime – janë projekte konkrete që do të realizohen për një cilësi më të mirë jetese”.

“Ekipi ynë për Kuvendin e Kosovës – Bali Muharremaj, Albana Bytyqi, Kymete Bajraktari, Samir Bytyqi, Driton Maliqaj, Mensur Selimaj, së bashku me partnerët tanë nga koalicioni Jehona Rrafshi Lumi dhe Murtez Zekolli – është garanci për realizimin e programit tonë për Kosovën ku fitojnë të gjithë. Pjesë e këtij plani, është anëtarësimi direkt në NATO, rritja e pagës minimale dhe pensioneve në 500 euro, pagës mesatare në 1000 euro dhe trefishimi i buxhetit për bujqësi”, shkroi ai.

Kreu i AAK-së gjithashtu tha se pakoja për Mirëqenien e Familjes do të sigurojë që asnjë familje të mos mbetet pa përkrahje.

“Ndërtimi i termocentralit të ri me gaz amerikan do t’i japë fund varësisë energjetike nga Beogradi dhe do të ulë çmimet e energjisë për çdo familje. Pakoja për Mirëqenien e Familjes do të sigurojë që asnjë familje të mos mbetet pa përkrahje. Këto janë planifikime të detajuara për transformimin e Kosovës”.

“Koha e improvizimeve dhe paaftësisë ka marrë fund. Më 9 shkurt, votoni 137 për Kosovën Fituese – për një shtet me ushtri të fortë, sundim të ligjit dhe prosperitet ekonomik për të gjithë”, ka shkruar Haradinaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat