Kandidati për deputet nga rradhët e PDK-së, Nait Hasani ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti që partitë opozitare do të “plaken” e “rrokaten” në opozitë tregon se Kurti do të shkojë në opozitë.
Hasani ka thënë se kjo gjuhë tregon po ashtu panikun Kurtit për siç ka thënë ai ‘humbjen e pushtetit të tij gradualisht’.
“Nuk kam koment për këtë sjellje, për këtë gjuhë, kjo tregon që ai do të shkojë në opozitë. Vetëm forma e shprehjes, mimika e shprehjes tregon humbjen e besimit, tregon ashpërsinë për ti mbuluar humbjet, pra dëshiron ta mbulojë vjedhjen, korrupsionin, pasigurinë, dëshiron ti mbulojë të gjitha ato me formën e sjelljes së tillë. Kemi parë mjaft këso komentesh të fushatave të ndryshme, të njerëzve të ndryshëm. Të njëjtën e kam parë në Shqipëri, gjuhën e Berishës, kjo është gjuha e Berishes, të njëjtën gjuhë e ka përdorur Berisha atje me këtë ashpërsi, me këto forma se do të plaken në opozitë, partitë nuk plaken sepse vijnë gjenerata e reja. Kjo tregon panikun e tij që e sheh se është duke e humbur pushtetin e tij gradualisht, ndër këmbë po i rrëshqet pushteti dhe tash me këtë gjuhë, me këtë marrje të zërit ai bërtet duke kërkuar për ti mbuluar edhe e shoh që nuk mundet ti mbulojë”, ka thënë Hasani.
Kurti të dielën në tubimin elektoral në Mitrovicë tha se partitë opozitare do të “plaken” e “rrokaten” në opozitë dhe se “nuk do të kthehen më në pushtet”.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës, për çka e kanë përdorë këta që tash janë në opozitë dikur aleancën me Perëndimin? E kanë përdorë, e kanë keqpërdorë aleancën me Perëndimin për ta ambalazhu ose hajninë ose tradhtinë e tyre. Prandaj, prandaj ata u larguan nga pushteti dhe prandaj ata nuk do të kthehen më në pushtet. Aleanca me Perëndimin, partneriteti me Perëndimin, miqësia me Perëndimin, përdoret për ta forcuar ushtrinë, e kurrë për ta ambalazhuar hajninë apo tradhtinë siç bënë ata që dikur ishin në pushtet e tash janë në opozitë e do të plaken në opozitë, e do të rrokaten në opozitë”, tha Kurti.