Përfundojnë hetimet për vrasjen e Liridona Ademaj – ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës

Aktuale

Përfundojnë hetimet për vrasjen e Liridona Ademaj – ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës

Më: 15 janar 2025 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 10:58 më 15.01.2025
Liridona Ademaj

Prokurorja e rastit flet për motivet që çuan në vrasjen e Liridonës

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçoviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.

“Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.

Ajo tha se edhe çështja e motivit e ka vonuar ngritjen e kësaj aktakuze.

Duhet të sqarojmë përse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës. Duhet të themi që provat materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çka ka munguar, ka munguar motivi që ka shtyrë kryerësit për veprën. Meqenëse e ndjera ka jetuar një kohë të gjatë në Suedi dhe për këtë arsye organeve atje u jemi drejtuar që të na ofrojnë të dhëna dhe kemi marrë raportin në ato pyetje të cikat iu kemi parashtruar organeve kompetente atje dhe atëherë kemi mundur të gjejmë motivin që e ka shtyrë Murselin për likuidimin e Liridona Ademajt. Derisa nuk i kemi pasur këto të dhëna për të krijuar një pasqyrë për marrëdhëniet familjare në mes tyre, nuk kemi ngritur aktakuzën. Të gjithë të përfshirët kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e veprës penale dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e kësaj vepre”, tha prokurorja.

Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.

Kryeprokurori Gashi: Presim dënim kapital nga gjykata ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në konferencën për media ka thënë se presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gashi tha se kjo vepër penale është “vrasje e rëndë” e kryer nga anëtari i familjes dhe siç tha ai e kryer në mënyrë dinake, prandaj ka kërkuar nga Gjykata një dënim kapital.

“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale ashtu siç e tha edhe prokurorja, kjo vepër penale është vepër penale “vrasje e rëndë” e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake e cila vepër e bën të cilësuar këtë natyrë të veprës penale andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital sa i përket kryerësve të kësaj vepre penale të cilët ne mendojmë dhe konsiderojmë që kemi arritur në mënyrë profesionale të grumbullojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha ai.

Të akuzuar janë Naim Murseli, ish bashkëshorti i Liridonës, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuarit janë, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Ka qenë rast i ndishëm, ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve, brenda një afati të shkurtë kohor kemi arritur të zbulojmë kryesit e kësaj vepre kriminale. Ka qenë një rast jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe sa i përket kompleksitetit të saj, dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda edhe jashtë Kosovës”, deklaroi kryeprokurori Zejnullah Gashi.

Në konferencë ka folur edhe prokurorja e rastit e poashtu edhe hetuesit.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.

Rasti i vrasjes së 39-vjeçares, fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli, konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

Sot mbahet konferenca për rastin e Liridona Ademajt, merr pjesë edhe vëllai i saj

Sot në ora 10:00, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës do të mbajë konferencë për media për rastin e Liridona Ademjat.

Pjesë e kësaj konference do të jetë edhe vëllai i saj, Leonard Ademaj, gjë të cilën ai e ka bërë të ditur vet përmes një postimi në Facebook.

“Ju njoftoj që nesër do të marr pjesë në konferencën e ftuar nga Prokuroria e Prishtinës në lidhje me rastin e vrasjes së motrës time Liridona Ademajt. Konferenca mbahet në orën 10.00 ne Prokurorinë Themelore tek Pallati i Drejtësisë.

Shpresoj që mediat do të kenë kohë të përcjellin konferencën. Pas konferencës mund të përgjigjem në ndonjë pyetje eventuale të gazetarëve”, ka shkruar Ademaj në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat