Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një intervistë, ka thënë se me mbylljen e institucioneve paralele në komunat me shumicë serbe, Kosova ka arritur që të shtrijë autoritetin dhe sovranitetin e saj plotësisht në tërë territorin.
Sipas tij, më këto veprime Serbia dhe grupet paralele që kanë vepruar në katër komunat veriore kanë humbur ndikim e tyre në Kosovë.
Ai shtoi se mbyllja e këtyre institucioneve është një hap i rëndësishëm dhe duhet të vazhdojë deri në eliminimin e plotë të tyre.
“Që nga 24 shtatori i 2023 institucionet e Kosovës kanë kryer një punë të shkëlqyer dhe autoriteti dhe sovraniteti është shtrirë në tërë territorin e Kosovës. Për vetë faktin që edhe marrëveshjet ndërkombëtare kanë bërë që institucionet paralele të cilat kanë ekzistuar në Kosovë me marrëveshje të mbyllen. Por ato kanë vazhduar për shkak të interesave personale të institucioneve të Serbisë dhe grupeve kriminale. Institucionet paralele është bërë mirë që janë mbyllur dhe duhet që të vazhdojnë që deri në fund ato të mbyllen tërësisht sepse ato janë ilegale në Kosovë”, thekson ai.
Ai ka thënë se sulmi i 24 shtatorit dhe sulmi në Ibër-Lepenc, janë dy aktet e fundit të Serbisë si një përpjekje e për të ndikuar në sigurinë kombëtare të Kosovës dhe se është një shenjë e qartë e humbjes së fuqisë së saj në territorin kosovar.
“Kjo tregon fytyrën e vërtet të Serbisë dhe grupeve kriminale të cilat kanë qenë të lidhur drejt për së drejti me presidentin e Serbisë dhe kjo tregon humbjen e fuqisë së Serbisë dhe strukturave të saj brenda territorit të Kosovës. Pra janë aktet e fundit të cilat janë përpjekur që të shtrinë autoritetin e vetë ose të kenë ndikim drejt për së drejti në sigurinë nacionale të Kosovës. Dihet që kur një organizata terroriste ose këtë rast shteti serb, pra vetë akti terrorist në Banjskë është akt terrorizmi shtetëror të Serbisë, tregon se kur nuk ka zgjidhje të tjera përpiqet që me akte terroriste të përfitoj dhe të ndjell frikë dhe pasiguri në vendin tonë”, ka thënë ai për EO.
Gjatë javës së kaluar, Policia e Kosovës ka mbyllur disa institucione paralele që operonin në veri të Kosovës, të cilat ishin të lidhura me strukturat ilegale të Serbisë. Këto institucione përfshinin zyra administrative, zyrë tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë) dhe organe të tjera që funksiononin jashtë autoritetit të shtetit të Kosovës.