Deklarohet Sveçla për aksionin e policisë në katër komuna të Kosovës – jep këto detaje
Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe.
Lajmin e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”, ka shkruar ai krahas një videoje ku shfaqet bashkë me ministrin Elbert Krasniqi.
Tutje, Sveçla ka potencuar se nuk do të lejojnë asnjë paralelizëm, e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë.
Objekti i Postës së Serbisë në Graçanicë rrethohet me shirita
Policia e Kosovës ka nisur një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe.
REL raporton se Policia ka hyrë në Postën e Serbisë dhe Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e REL-it raportojnë se aktualisht zyrtarë të Policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve.
Aktualisht, punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka njoftuar Policia, që ka shtuar se pas përfundimit të operacionit do të bëhen publike informacionet shtesë.
Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.
Degë të tjera të kësaj poste ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar – në një lëvizje të kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që në atë kohë ishin shprehur “thellësisht të zhgënjyer” dhe e kishin quajtur aksionin të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Edhe shumë institucione të tjera serbe janë mbyllur gjatë aksioneve të ndërmarra nga Policia e Kosovës vitin e kaluar. Aksione të tilla vazhduan edhe këtë vit.
Aksion i policisë në katër komuna të Kosovës
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka nisur sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion policor në disa rajone të Kosovës.
Operacioni i policisë po zhvillohet në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë.
Kështu ka konfirmuar për median, zëdhënësi i policisë Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka thënë Kelani.
Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi natyrën e operacionit. Ai ka shtuar se pas përfundimit të opeacionit policor do të bëhen të ditura informacionet shtesë.