​Krerët shtetërorë kërkojnë drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut

Aktuale

​Krerët shtetërorë kërkojnë drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut

Më: 15 janar 2025 Në ora: 14:02
Foto ilustrim

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut. Në akademinë përkujtimore, në 26 vjetorin e kësaj masakre, u theksua nevoja që gjykimi dhe ndëshkimi kriminelëve që vranë 45 civilë të pafajshëm në Reçak të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Reçaku është pjesë e identitetit kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për të mbrojtur shtetin e pavarur të Kosovës të pavarur.

Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, siç theksoi ajo, në kohën kur njerëzit po masakroheshin në vitin 1999, ai i arsyetonte ato nën petkun e ministrit të Informacionit.

“Ne nuk do të harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërtetën që përfaqëson. Ai është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për të mbrojtur shtetin tonë të pavarur, sovran dhe demokratik. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë. Çdo ditë, në çdo forum, kudo në botë duhet të dëshmojmë se në vitet 1998-99 populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Në kohën kur Reçaku dhe e gjithë Kosova akoma kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo çka shohim në Serbi është vazhdimësi në vitet të 90-ta, e cila shkaktoi mbi 100 mijë civilë të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin në Serbi, propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, mohon atë që bota e pa me sy dhe e quan Millosheviqin si njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe dhe në një tjetër dërgon forcat paramilitare terroriste për të sulmuar Kosovën. Por sikurse në vitet e 90-ta, njësoj edhe sot, Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe mbrojnë çdo pëllëmbë të saj”, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve të masakrës së Reçakut duhet të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.

“Varret në tokë, vragat në trup dhe shpirt, ndërkaq vrasësit në liri në Serbi. Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vragat e mbyllura në trup, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin. Nuk është dashur të ndodhin. Ajo çka duhet të ndodh për pasojë është drejtësia. Gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë. Në vitet 1998-1999 thuhej se përfundojë beteja por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta. Ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim por edhe jo beteja për drejtësi”, theksoi Kurti.

I pranishëm në këtë akademi ishte edhe ambasadori William Walker, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, që dokumentoi para botës gjenocidin serb në Kosovë.

Ai tha se masakra e Reçakut përfaqëson të kaluarën e tmerrshme që Serbia ka bërë në Kosovë, por edhe të ardhmen e ndritshme që do të ketë Kosova.

Ai para të pranishmëve tha se me kënaqësi ka pranuar kërkesën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për të marrë nënshtetësinë e Kosovës.

“Ju kërkoj falje që ky libër është publikuar sot, pas 26 viteve më vonë. Por jam shumë i kënaqur që ky libër u mundësua dhe jam i kënaqur që presidentja dhe kryeministri më kanë thënë se ky libër do të jetë një vlerë sa i përket rinisë së këtij vendi. Është shumë me rëndësi që ata të dëgjojnë përshkrimin tim për çka dhe pse kam marrë pjesë në atë ngjarje para 26 vitesh...Zakonisht vij të them atë çka mendoj për t’iu treguar njerëzve se çka ka ndodhur me 15 janar në vitin 1999. Sa herë jam këtu dua të them se Reçaku jo vetëm që përfaqëson këtë të kaluarën të tmerrshme ku serbët i kanë bërë gjëra të tmerrshme shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Për mua, Reçaku përfaqëson diçka shumë të ndritshme dhe është e ardhmja e Republikës së Kosovës... Dje presidentja dhe kryeministri më kërkuan nëse unë mund të bëhesha qytetar i Kosovës. Siç mund të merrni me mend, përgjigja për atë pyetje ishte natyrisht po. Unë me krenari do të varrosesha këtu në Reçak”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se Reçaku është rikujtim i përhershëm se liria ka pasur çmimin e madh.

“Reçaku nuk është thjesht tragjedi. Reçaku është dëshmia jonë para historisë. Reçaku është rikujtim i përhershëm se liria jonë ka çmim të madh, gjakun e atyre që ranë për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe dinjitetin tonë njerëzor...Drejtësia për viktimat e masakrës së Reçakut është një borxh që ende nuk është shlyer sepse as përgjegjësit, planifikuesit dhe as ekzekutuesit ende nuk janë ndëshkuar. Ne nuk harrojmë dhe nuk do të harrojmë kurrë atë çka ka ndodhur sot e 26 vjet më parë. Andaj bëjmë thirrje që përgjegjësit e këtij gjenocidi të përballen me drejtësi”, theksoi Aliu.

Drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut kërkuan edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Osmani, Kurti por edhe liderë të tjerë partiakë kanë bërë homazhe sot te Kompleksi Memorial në Reçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat