​Serbia “arsyetohet” për dështimin e takimit për të pagjeturit në Bruksel

Aktuale

​Serbia “arsyetohet” për dështimin e takimit për të pagjeturit në Bruksel

Më: 15 janar 2025 Në ora: 14:59
Kryengociatori serb Petar Petkoviq

Kryengociatori serb Petar Petkoviq është deklaruar rreth mos mbajtjes së takimit për të pagjeturit sot në Bruksel, pavarësisht se ai ishte paralajmëruar dy javë më parë.

Petkoviq në “arsyetimin” e tij për mos mbajtjen e takimit ka përmendur mbylljen e strukturave paralele sot në Kosovë.

Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti “për sulm masiv ndaj institucioneve serbe”, por një pjesë të fajit ia ka hedhur edhe Bashkimit Evropian.

“Në Bruksel më priti lajmi për sulmin masiv të Kurtit ndaj institucioneve serbe. Mbyllja me dhunë e një numri të madh të komunave tona, qendrave për punë sociale, postave është duke u bërë... Është e qartë pse Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Unë kam ardhur me delegacionin e Beogradit me synimin që sot ta zgjidhim çështjen e personave të pagjetur, ndërsa Kurti dhe Prishtina kanë zgjedhur rrugën e dhunës dhe lëvizjeve të njëanshme. Ky lloj terrori vë në pikëpyetje vetë dialogun. Është e qartë se për këtë nuk është i vetmi fajtor Kurti. Përgjegjësia është edhe e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin X.

Gjatë ditës së sotme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë si dhe posta e zyre. Sipas tij, aksioni është zhvilluar në dhjetë komuna Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale, janë lokacionet ku janë mbyllur komunat paralele të Serbisë. Derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat