​26 vjet nga masakra serbe në Reçak, avokati Jashari kërkon dënimin e autorëve

Aktuale

​26 vjet nga masakra serbe në Reçak, avokati Jashari kërkon dënimin e autorëve

Më: 15 janar 2025 Në ora: 15:27
Masakra e Reçakut

Avokati Arbër Jashari ka përkujtuar masakrën në Reçak të kryer nga forcat kriminale serbe 26 vjet më parë e cila tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për t’u mobilizuar për Kosovën.

Në këtë masakër u vranë dhe u masakruan 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Jashari thotë se Kosova si shtet ka për detyrë të punojë në mënyrë intensive që autorët e këtij krimi të llahtarshëm të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Reçaku është plaga jonë e thellë, dhimbjet e së cilës nuk do të lehtësohen kurrë, përderisa nuk do të ketë drejtësi për viktimat e krimit. Nuk mjafton thjesht të themi: ‘Kërkojmë drejtësi’. Si shtet, kemi obligim të punojmë pa ndërprerë, që ata që e shkaktuan masakrën e 45 civilëve të pafajshëm 26 vjet më parë, të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar ai në Facebook.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të kasapit Sllobodan Millosheviq.

Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës. Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionar dhe diplomat të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat