Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se, mëngjesin e së mërkurës, janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore të saj në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi, në anën tjetër, se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën ato, pasi, siç tha, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
"Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës", thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se "nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht".
Mbyllja e degës së Postës së Serbisë në Graçanicë, 15 janar 2025.
Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është "e paligjshme", dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.
Kosova do t'i mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe është në mes të fushatës elektorale.
Lisa Serbe - partia më e madhe e serbëve në vend - paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se "zhvillimi i situatës" në Kosovë po ndiqet me kujdes.
"Do t'i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë", tha Vuçeviq.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një "përshkallëzim të rrezikshëm".
"Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t'i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë", shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por "t'i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë".
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq - i cili ndodhej në Bruksel, ku do të duhej të mbahej takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit -tha se "e ka braktisur atë takim", për shkak të ndodhive në Kosovë.
"Kurti nuk do dialog, por dhunë", u tha ai gazetarëve në Bruksel.
I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: "Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme... por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm".
Ai tha se nga mbyllja e institucioneve serbe të mërkurën, mbi 1.100 njerëz kanë mbetur pa punë, por tha se i siguron ata që Serbia do të vazhdojë t'i paguajë.
Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë u vendos një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.Policia e Kosovës tha se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.
"Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë", thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.
Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.
Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe SHBA-ja, që atëkohë u shprehën "thellësisht të zhgënjyera" dhe e cilësuan aksionin si "të njëanshëm dhe të pakoordinuar".
Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.
Aksioni - "fushatë parazgjedhore e Vetëvendosjes"
Politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se aksionin e mbylljes së institucioneve serbe në zonat në jug të lumit Ibër, e sheh si "fushatë parazgjedhore" të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.
"Aksioni u shoqërua me videoklip të ministrit Sveçla, në të cilin thotë se ka marrë fund prania e Serbisë në Kosovë... sipas tij, një prani paralele dhe ilegale. Ata nuk mund të tregojnë asgjë tjetër si rezultat, kështu që kjo [mbyllja e institucioneve serbe] është pjesë e fushatës së tyre", thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se partia në pushtet "po e instrumentalizon politikisht edhe Policinë e Kosovës, për të bërë fushatë".
Mbylljen e pothuajse të gjitha institucioneve serbe në jug të Ibrit, Gogiq e lidh edhe me ardhjen në pushtet të administratës së re amerikane. Autoritetet e Kosovës duan që "t'i kryejnë veprimet e tilla para se Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë", sipas tij.Gogiq thekson se institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të shfuqizohen derisa Beogradi zyrtar ta vendosë një gjë të tillë, por nuk e përjashton mundësinë që punonjësit e tyre të ndiqen penalisht.
Në korrik të vitit 2024, Prokuroria e Ferizajt mori në pyetje punonjës të autoritetit të përkohshëm komunal të Shtërpcës, nën dyshimet për "rrënim të rendit kushtetues të Kosovës".
Përfaqësues të shoqërisë civile i thanë më herët Radios Evropa e Lirë se punëtorë të tjerë në institucionet e financuara nga buxheti i Serbisë, mund të përballen tani me akuza të njëjta.
Cilat institucione u mbyllën?
Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, "aktiviteteve të paligjshme", si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia "Dunav Osiguranje", për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë.