Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërkohë që vëllai i viktimës, Lonard Ademaj, e ka mirëpritur këtë hap dhe duke theksuar se familjarisht presin një dënim maksimal për të akuzuarit.
“Ne si familje e mirëpresim ngritjen e aktakuzës dhe kërkojmë që gjykata të vendosë sa më shpejt, sepse sa më shpejt, aq më mirë është për ne,” ka deklaruar Lonard Ademaj në emisionin FIVE.
“Presim që dënimi të jetë maksimal për të tre, ata duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shtuar Ademaj, duke kërkuar dënim të përjetshëm për autorët.
Në lidhje me procesin ligjor, avokati i familjes, Leutrim Syla, ka theksuar se Prokuroria ka qenë e rezervuar dhe se, përveç hetimeve në Kosovë, është punuar edhe jashtë vendit, duke e kuptuar se hetimi mund të zgjasë.
Përsa i përket ngjarjes, Lonard Ademaj rrëfeu se nuk kishte pasur shenja se motra e tij, Liridona, kishte probleme me bashkëshortin Naim Murseli, dhe se ajo po përgatitej për të udhëtuar në Prishtinë.
“Motra nuk kishte paraqitur ndonjë shqetësim, dhe ishte tronditje e madhe për ne”, ka theksuar ai, duke kujtuar momentin kur u njoftua për vrasjen e Liridonës.
Ndërkaq, avokati Syla ka shpjeguar se vrasja është përgatitur me kohë nga Naim Museli, i akuzuari kryesor, dhe ka vënë në dukje se, fillimisht, pasi rasti u trajtua si grabitje, hetimet treguan se qëllimi i vërtetë ishte vrasja.
“Qëllimi ka qenë vrasja që nga fillimi,” ka potencuar Syla.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.