Pas Shteteve të Bashkuara dhe BE-së edhe Gjermania e ka reaguar ndaj vendimin të organeve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili shpërndau komunikatën e BE-së në platformën “X”, duke shtuar se pajtohet plotësisht me reagimin e saj ndaj vendimit të autoriteteve kosovare.
Ai ka thënë se në parim pajtohet që struktura të tilla nuk duhet të funksionojnë në Kosovë, por se sipas tij, rruga drejt mbylljes së tyre duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Më lejoni të jem i qartë: ne jemi dakord në parim që funksionimi i strukturave të tilla paralele duhet të ndërpriten. Por rruga drejt kësaj duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime si sot, nuk fitoni zemrat, mendjet e njerëzve të prekur”, ka shkruar Rohde.
Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skenderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”.
Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.