Rrëfimi i familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Reçakut: “Sa herë bi e çohem më shkojnë mendët tek ai”

Aktuale

Rrëfimi i familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Reçakut: “Sa herë bi e çohem më shkojnë mendët tek ai”

Më: 15 janar 2025 Në ora: 19:57
Kompleksi Memorial në Reçak

Mëngjesin e 15 janarit u mblodhën në Kompleksin Memorial në Reçak.

Në 26 vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, qytetarë të shumtë po vendosin lule pranë varreve të 45 civilëve shqiptarë.

Ngjarjen e rëndë të vitit 1999 në Reçak nuk mund ta heq nga mendja Igballe Hysenaj.

Sot e 26 vjet ajo po jeton me mallin për vëllain dëshmor, Haqifin.

“Djali o kon n’Gjermani, kish ni, ka thanë mos i kallxoni nanës se daja ish mytë n’Reçak. Gjithë mendt sa herë t’bi e saherë t’çohem më shkojnë tek ai, qysh i ka dalë shpirti. Me vdes prej exhelit s’mërzitem, ama prej serbëve prej së shoshi”, thotë Hysenaj.

E nga Zvicra erdhi edhe Sinan Halili, për të nderuar veprën e vëllait, Skënderit.

Ai rrëfen momentin e trishtë kur dëgjoi për rënien e tij në altarin e lirisë.

“Është një ndër lajmet më të vështira në jetën time që kam marr ka qenë kjo, jo vetëm për vllaun tim po për të gjithë bashkë-fshatarët e Reçakut”, thotë ai.

Ndërsa nga New York-u erdhi Beqir Sina bashkë me ish-shefin e atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Dhembshuria e kësaj masakre i tejkalon kufijtë e afrimitetit ose asaj që ku jeton ose ku nuk jeton”, thotë Sina.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat