Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partitë e tjera politike në vend “nuk janë në tokë të bukës”.
Kurti, i cili është edhe kryeministër aktual i Kosovës, në tubimin elektoral në Podujevë, tha se “pasha bukën me neve edhe mbrapsht me qitë mbarë po na del”.
Ai tha se gjatë katër vjet qeverisjeje prioritet ka qenë “buka dhe pushka” andaj janë ndarë 300 milionë euro për bujqësinë dhe 300 milionë për ushtrinë.
Kurti: Partitë e tjera nuk janë në ‘tokë të bukës’
“300 milionë euro për bujqësinë nga qeveria jonë dhe mbi 300 milionë euro armatim për ushtrinë tonë. Buka dhe pushka janë dy siguritë më emergjente dhe prioritare për një shtet dhe një komb…Ne i rrisim edhe fermat, rendimentet dhe cilësinë e prodhimeve cilësore. Partitë e tjera nuk janë në tokë të bukës. Me qeverinë tonë, në sofrën tonë e kemi bukën tonë nga toka jonë. Rekord të mbjelljeve dhe rekord të korrjeve në vitin 2024. E pasha bukën me neve edhe mbrapsht me qitë, mbarë po del”, tha ai.
Krahas kësaj, Kurti tha se magjistralja Prishtinë-Podujevë do të përfundojë në pranverën e këtij viti.