Sot mbushen shtatë vjet nga vrasja ende e pazbardhur e politikanit serb Oliver Ivanoviq me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij Iniciativa qytetare në Mitrovicë të Veriut.
Dy vjet para vrasjes, në vitin 2016 në Gjykatën Themelore në Veri të Mitrovicës, Ivanoviq u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër popullatës civile në vitet 1999- 2000.
Ivanoviq nuk u dërgua në paraburgim, por ishte në arrest shtëpiak. Lidhur me këtë vendim, pati reagime dhe pakënaqësi, nga pala e dëmtuar dhe familjarët. Gjithashtu, edhe njohës të drejtësisë në Kosovë e quajtën të padrejtë këtë vendim.
Në shkurt 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Ivanoviqit, pasi ai u dënua me 9 vjet burg.
Rigjykimi filloi më 24 mars 2017, ndërsa më 21 prill Ivanoviqi iu hoq arresti shtëpiak dhe iu lejua të mbrohej në liri.
Ivanoviq ishte bartës i listës “Liria, Demokracia, Drejtësia - Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të nëntorit 2017.
Lidhur me vrasjen e tij, më 23 nëntor 2018 në veri të Mitrovicës janë arrestuar katër të dyshuar.
Në vitin 2022 nisi procesi gjyqësor ndaj personave të dyshuar se ishin pjesë e grupit kriminal që organizoi likudimin e Ivanoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 20 vjet burgim katër të akuzuarit në rastin e vrasjes së Ivanoviq - Marko Roshiq 8 vjet burg për veprën vrasje e rëndë dhe 10.000 euro gjobë, Nedelko Spasojeviq 4 vjet e 6 muaj burg dhe 4 mijë euro gjobë, Dragisha Markoviq 4 vjet burg për bashkëkryerje në veprën penale vrasje dhe Zharko Jovanoviq 4 vjet burg për bashkëkryerje të veprës dhe 1.500 euro gjobë për posedim të armëve.