Në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim Shpëtim (QNTKSh), është realizuar trajnimi për Mbijetesë Malore në kushte dimërore për kadetët e vitit të 4-të, të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në njoftimin për media thuhet se ky program intensiv është krijuar për të sfiduar kadetët dhe për t’i pajisur ata me aftësi thelbësore të mbijetesës në kushte ekstreme malore duke u fokusuar në mësimin e teknikave të ngjitjes dhe zbritjes me litar, ndërtimin e strehëve dhe ndezjen e zjarreve në kushte të vështira, orientimin dhe navigimin në terrene të ashpra dhe menaxhimin e burimeve materiale nga natyra.
“Kadetët treguan shkathtësitë e tyre për t’u përballur me sfidat ku kjo tregon se këta të rinj do të jenë udhëheqës të ardhshëm të njësive të FSK-së, duke punuar dhe vepruar me punë në ekip dhe vendosmëri, duke mishëruar vlerat thelbësore të shërbimit dhe gatishmërisë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në përmbyllje të vizitës në SHBA, e ka vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen edhe helikopterët Black Hawk, që si thotë ai, Kosova do t’i ketë në flotën e mbështetjes ajrore të ushtrisë.
Maqedonci, në një postim në Facebook, bëri të ditur se me këtë rast kanë takuar menaxhmentin e kësaj kompanie, ku është diskutuar për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Në përmbyllje të vizitës në ShBA, e vizitova fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët Black Hawk, që do t’i kemi në flotën e mbështetjes ajrore të ushtrisë së Kosovës. Së bashku me Gjeneral Jasharin e takuam menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuam për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.