Mungesat e trajnimeve për mësimdhënësit po cilësohet një prej arsyeve pse Kosova po del e fundit në PISA sa i përket cilësisë në arsim. Kështu u tha në tryezën “ndërtimi i së ardhmes së arsimit në Kosovë- mësime nga PISA” e organizuar nga German School of Kosova, Leadership Foundation dhe Schule Expert.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se duhet shikuar se çka po ndikon në rënien cilësisë në arsim, pasi që sipas tij, numri i studentëve në universitete private po rritet.
“Sa i pashë statistikat në Kosovë, shoh numrat e studentëve që shkojnë në universitete, por po shoh se në universitete publike numri po bie dhe në universitetet private po rritet. Duhet të shikojmë se çka po ndikon”, tha Rohde.
Ndërsa, hartuesi i PISA dhe drejtor për arsim dhe shkathtësi në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Andreas Shcleicher, u shpreh se duhet përmirësuar cilësia e marrëdhënieve në sektorin e arsimit në Kosovë. Sipas tij, gjendja në këtë sektor është më keq se para 20 vitesh.
“Asnjë vend nuk ka një zgjidhje të vetme që do të mund ta kopjonim të gjithë… Nuk mund të themi se ka pasur përmirësime. Sot po ia dalim më keq se para 20 vitesh. Deri diku ka të bëjë me pandeminë Covid-19, por nuk është i vetmi problem. Teknologjia është një pjesë e madhe në jetë por po është dhe problem….Sistemi shkollor ka rrugë të gjatë për të përmirësuar rezultatet arsimore. Kosova përmirësimet me të shpejta, ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së marrëdhënieve…. Mungojnë trajnimet, materialet, burimet, resurset , por stafi është më i rëndësishmi, teknologjia”, u shpreh ai.
E nga Ministria e Arsimit, Shqipe Kokollari shtoi se Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës është duke angazhuar një analizë për të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, që të marrin përvojat e mësimdhënësve për zhvillim profesional.
Ajo shtoi se janë duke u rishikuar edhe tekstet shkollore, me theks të veçantë në shkencë, për arsye që kanë përmbajtje më shumë sesa që duhet të ketë.
“Nuk është i vetmi institucion dhe e vetmja arsye pse rezultatet nuk janë të mira në Kosovë. Nuk është vetëm një faktor përgjegjës, por janë të lidhura shumë institucione nga niveli qendror deri te ai komunal. Ne kemi ndryshuar atë qasjen e thirrjes nga organizatat e akredituara për zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Për momentin Fakulteti i Edukimit është i angazhuar në një analizë për të gjithë mësimdhënësit që t’i merr përvojat e mësimdhënësve për zhvillim profesional të tyre. Tekstet shkollore kanë përmbajte me shumë sesa që duhet. Janë duke u trishtuar e me theks të veçantë në pjesën e shkencës”, shtoi ajo.